INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Çdo i rritur të dhurojë një pemë, 2018 do jetë akoma më e mirë për Tiranën”

Veliaj: “Çdo i rritur të dhurojë një pemë, 2018 do jetë akoma më e mirë për Tiranën”

Publikuar më: 14:46 10-01-2018

Një qytetar, një pemë, nisma e re e Bashkisë së Tiranës që synon t’i japë më shumë aksionit për mbjelljen e 100 mijë pemëve në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në mbjelljen e 200 pemëve të tjera në zonën e digës së Liqenit të Thatë, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që t’i dhurojnë qytetit një pemë, pasi në këtë mënyrë i ka lënë një trashëgimi me vlerë fëmijëve të tyre.

“Do doja të ftoja të gjithë qytetarët e Tiranës, nëse mund të merrni një zotim, kush është i rritur në Tiranë, sikur të mbjellë 1 pemë gjatë vitit 2018 automatikisht i ka dhënë Tiranës gjysmë milion pemë. Kjo mund të jetë te bahçja e tyre, poshtë pallatit të tyre, në komunitet, në një lulishte dhuratë për agjencinë tonë të parqeve, por sikur çdo qytetar i rritur i Tiranës të merrte zotim që do të dhuronte një pemë në 2018, do të ishte besoj kërkesa më e bukur për babagjyshin këtë vit”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se Bashkia do të vazhdojë të mbjellë pemë, si përpjekje për të sensibilizuar qytetarët dhe çdo biznes që të kontribuojë për një qytet më të gjelbër dhe më të pastër. “Ne do të vazhdojmë të mbjellim sepse besoj vetëm duke e trajtuar çdo ditë me seriozitet, si një shans dhe mundësi fantastike për gjelbërimin e Tiranës, mund të arrijmë ambicien tonë. Kështu që jemi një fazë ku kemi buxhetin më të madh në historinë qytetit te Tiranës, ama që ky buxhet të ketë duk do të na duhet të plotësohet me bujarinë dhe dashamirësinë e të gjithë atyre që duan ta shikojnë Tiranën zonjë. Tirana mund të bëhet zonjë jo vetëm kur punon bashkia, por kur të gjithë bashkë e japim një kontribut”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai foli i kënaqur për ecurinë e deritanishme të këtij projekti, ndërsa shprehu mirënjohje për të gjitha sipërmarrjet që i janë bashkuar Bashkisë së Tiranës në këtë nismë të sajën. “Besoj që lëmë një pajë për qytetin që do jetë këtu edhe kur mos të jemi ne. Kolegët e thanë me të drejtë, ka disa funksione, së pari funksion estetik, pra nga një vend i shëmtuar me hedhurina, me smogun që vjen nga makinat, me zhurmën që krijon. Sot, të paktën për syrin, ka një hijeshi të jashtëzakonshme fakti që po qëndiset Tirana, edhe përgjatë autostradave me pemë dhe me bimësi. Së dyti, është më pastër për vendin. Vendi ishte kthyer në një kosh të madh plehrash. Iu rroftë adresa e shtëpisë që e keni pranë Liqenit të Thatë sepse asgjë rreth e rrotull nuk kishte të bënte me civilizimin. Së fundi, ajo që është më e rëndësishme oksigjenohet Tirana me atë që e quajmë Pylli Orbital, ku me të drejtë 200 pemë sot, ndoshta nuk janë 100 mijë që e kemi për ambicie, ama janë 200 më shumë se dje dhe nesër do jenë 200 pemë më shume se sot”, shtoi Veliaj.

Veliaj është shprehur optimist se viti 2018 do jetë për Tiranës akoma më i mirë se viti që po lëmë pas. “Është shumë gjë e mirë që Tirana po merr çmime për inovacionin, për transformimin urban, për rilindjen urbane. Është shumë gjë e mirë që po shkruhet gjithmonë e pozitivisht për Tiranën, por le të kuptojmë që kemi ende rrugë të gjatë për të bërë. Ne që jetojmë këtu e dimë që shumë është bërë, por ama e mira është përpara ndaj edhe shpresoj shumë që 2018 do të jetë një vit akoma më i mirë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Article Logic
Execution time: 0.0038619041442871