INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Çerdhet dhe kopshtet e Tiranës me standarde evropiane, do të jenë të hapura gjatë gjithë gushtit

Veliaj: “Çerdhet dhe kopshtet e Tiranës me standarde evropiane, do të jenë të hapura gjatë gjithë gushtit

Publikuar më: 15:47 07-08-2017

Përfundon rikonstruksioni i kopshtit Nr.17 në kryeqytet, do të mirëpresë 120 fëmijë Veliaj: “Çerdhet dhe kopshtet e Tiranës me standarde evropiane, do të jenë të hapura gjatë gjithë gushtit. Në 1 shtator çelen regjistrimet në kopshte” Shtatori do t’i gjejë më të vegjlit e Njësisë 7 me kopësht të ri e me kushte bashkëkohore. Pas dy vitesh pezullim, Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar plotësisht godinën e Kopshtit Nr.17, i cili do të mirëpresë 120 fëmijë të ndarë në 4 grupe. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Vasilika Hysi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, inspektoi përfundimin e punimeve, ku për herë të parë u zbatua edhe projekti pilot me të rinjtë që vuajnë dënimin në sistemin penitenciar, të cilët kanë kontribuar në realizimin e mobiljeve të kopshtit. “Më vjen mirë që sot jemi bërë kaq shumë për të lënë një gjurmë në rritjen e 120 fëmijëve në Njësinë 7, me një kopësht totalisht të ri, për të cilin nuk do të mjaftonte as një libër për të treguar të gjitha peripecitë, derisa kemi mbërritur këtu. Shumë njerëz shohin gjëra të bukura dhe s’e kuptojnë që vetëm me shpronësime, kontrata, gjyqe, apelime, sa mund duhet për të mbërritur në këtë produkt. Megjithatë, rëndësi ka fundi dhe çdo peripeci ia ka vlejtur kur produkti është kaq i bukur”, theksoi Veliaj. Ai falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për angazhimin e të rinjve të cilët vuajnë dënimin në këtë institucion, në realizimin e bazës së nevojshme materiale për kopshtin. Veliaj tha se ky projekt pilot do të shtrihet edhe në institucionet e tjera, si çerdhe dhe kopshte, ku ata që vuajnë dënimin, të realizojnë të mira për komunitetin. “Falenderoj drejtorin Çuko për kontributin e atyre që vuajnë dënimin, që kanë gjetur një mënyrë se si të rehabilitohen në shoqëri, duke bërë një punë konkrete, duke na ofruar shërbime konkrete përmes aftësive dhe talentit që kanë.Është një mënyrë fantastike se si këtë projekt pilot ta shtrijmë në kohë, në të gjitha kopshtet, shkollat e nevojat e tjera që kemi. Kemi shumë nevoja për mirëmbajtje dhe fare mirë ata që kanë nxjerrë disa mësime nga e kaluara e tyre dhe duan të rehabilitohen në shoqëri, jemi gati jo vetëm të përdorim shërbimet e tyre, por edhe t’i konsiderojmë si staf në të ardhmen, në disa prej këtyre punëve”, deklaroi Veliaj. Duke falënderuar “Tirana Bank”, “Inerti sh.p.k” dhe "Nderpro sh.p.k", Veliaj u bëri thirrje edhe investitorëve të tjerë që të kontribuojnë për gjeneratën e ardhshme të qytetit. Ai deklaroi se për të dytin vit radhazi, Bashkia ka marrë të gjitha masat që kopshtet dhe çerdhet të jenë të hapura gjatë muajit gusht për të pritur fëmijët. “Kopshtet tona janë të hapura gjatë gjithë gushtit. Ky është viti i dytë që e respektojmë si rregull. Jo të gjithë kanë mundësi të bëjnë pushime në gusht, madje disa prej prindërve u duhet të punojnë, kjo është arsyeja pse do i mbajmë kopshtet hapur”, u shpreh ai. Nga data 1 qershor, pranë kopshteve të Tiranës do të nisin regjistrimet e reja të fëmijëve. Veliaj bëri të ditur se gjatë këtij procesi do të merren parasysh dhe nevojat ekonomike të familjeve, ndërsa siguroi për rritje të mëtejshme të standardeve. “Dua të ftoj të gjithë banorët e njësisë 7, në datën 1 shtator do të hapim regjistrimet. Kemi shumë kërkesa, ndaj sigurisht që do kemi parasysh edhe nevojat ekonomike që kanë familjet dhe nevojat që ka lagjja për shërbim. Do të shtojmë edhe stafet në çerdhe e kopshte, për t’u siguruar që kemi sa më shumë edukatorë me sa më pak fëmijë, që secili prej tyre të marrë vëmendje maksimale. Ndihem i lumtur sot, që në Tiranë ndoshta shumë gjëra nuk i kemi ende perfekt, por një nga gjërat që besoj për të cilat jemi të gjithë krenarë, është që niveli i çerdheve e i kopshteve të Tiranës, ku padyshim kanë standarde evropiane”, tha kreu i Bashkisë, ndërsa bëri të ditur se faza tjetër do të fokusohet tek përmirësimi i infrastrukturës së nevojshme për shkollat. “Mezi pres që fazën tjetër të fokusohemi te shkollat. Duke pasur edhe shkollat në të njëjtin standard, siç kemi çerdhet e kopshtet, do të kemi qytetin ëndrrave tona. Shpresoj që sot hedhim themelet jo vetëm për fëmijë të mirë, por edhe për një Tiranë të të rriturve shumë më të mirë nesër, për qytetin e ëndrrave tona”, shtoi ai. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko e cilësoi këtë rast si tregues të nevojës për ndryshimin e drejtësisë penale për të miturit, mbi bazën e parimit të interesit më të lartë të të miturve. “Përveç vuajtjes së dënimit që kanë dhënë gjykatat, interesi më i madh i fëmijës është riintegrimi i tij në shoqëri, pasi të mbarojë vuajtjen e dënimit dhe mospërsëritja e fajit që kanë bërë. Është shumë e rëndësishme që brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit, t’u japim të gjitha mundësitë për kurse profesionale, për të bërë punë sipas interesave të tyre vetjake dhe fushave që ata kanë prirje dhe ky rast tregon shumë qartë këtë lloj domosdoshmërie”, tha Çuko. Kopshti Nr. 17 ka pësuar një zgjerim nga ana funksionale e hapësirave si dhe janë riorganizuar hapësirat e fjetjes, ngrënies dhe tualeteve. Falë këtij investimi, është bërë i mundur instalimi i sistemit të ngrohjes në të gjitha ambientet e kopshtit, si dhe është rinovuar sistemi hidraulik dhe ai elektrik. Një kujdes i është kushtuar edhe përmirësimit të ambientit të jashtëm, ku në oborrin e kopshtit janë instaluar module të ndryshme lojërash për fëmijët.

Article Logic
Execution time: 0.0044999122619629