INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj dhe Lorik Cana përurojnë fushat sportive në kopshtet publike

Veliaj dhe Lorik Cana përurojnë fushat sportive në kopshtet publike

Publikuar më: 14:21 05-06-2017

Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që nis zbatimin e një programi sportiv për të gjithë fëmijët që frekuentojnë kopshtet publike. Pas rehabilitimit dhe ndërtimit të kopshteve, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me fondacionin “Lorik Cana”, ka nisur zbatimin e projektit për ndërtimin infrastrukturës sportive në kopshtet publike, me synim masivizimin e pjesëmarrjes në sport për një jetë më të shëndetshme.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, lorik Cana, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të një prej këtyre fushave sportive në Kopshtin “Xixëllonja” në Tiranë, e vendosur falë donacionit të fondacionit “Lorik Cana”.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ky është vetëm investimi i parë, i cili do të kontribuojë edhe në edukimin e brezit të ri. “Thirrja e Lorikut është të vazhdojë të kontribuojë për sportin, ndaj Bashkia e Tiranës iu bashkua nismës së fondacionit “Lorik Cana”, i cili në fakt sot po mbjell filizin e parë të një pune fantastike që ndoshta do ia shohim hajrin disa vite më vonë. Nuk i referohem vetëm futbollistëve të vegjël, të cilët që në moshën 3-4 vjeç mësojnë si të luajnë në skuadër, do mësojnë si të humbasin me dinjitet, do mësojnë edhe si të fitojnë me përulësi. Këto janë disa karakteristika bazë që shumë prej nesh të rriturve nuk i kemi dhe kur humbasim e trajtojmë si tragjedi, kur fitojmë bëjmë sikur kemi çliruar botën, qoftë kjo në politikë apo në fusha të tjera”, tha Veliaj.

Ai shprehu bindjen se falë këtij projekti dhe investimeve që po ndërmerr bashkia për përmirësimin e infrastrukturës sportive, Tirana do të fitojë edhe qytetarë të jashtëzakonshëm. “Kemi bërë disa investime në çerdhet dhe kopshtet fantastike në Tiranë, kurse kjo është pa dyshim qershia mbi tortë. Ne besojmë se infrastruktura është e rëndësishme, por më e rëndësishme është kultura dhe tani besoj se i kemi të dyja bashkë, investojmë edhe në infrastrukturë, edhe në kulturë”, tha ai.

Ish-kapiteni i ekipit tonë kombëtar në futboll, Lorik Cana, vlerësoi përkushtimin e kryebashkiakut Veliaj për zbatimin e këtij projekti, i cili do të shtrihet edhe në qytete të tjera të trevave shqipfolëse. “Është diçka e duhur, që i nevojitet gjithë shoqërisë tonë. Fondacioni do të shtrihet në të gjitha trojet shqiptare, në Shqipëri, në Kosovë dhe shpresojmë në të ardhmen edhe në Maqedoni, për t’ua mundësuar të gjithë fëmijëve tanë, të rriten me vlerat e duhura. Dua të falenderoj Erionin. Ky program ka qenë i vështirë për t’u realizuar dhe zbatuar, por e ndjej veten me fat sepse kisha përballë një person i cili pa folur fare, vetëm me mendime e kupton dhe i ka kuptuar qëllimet që kemi me fondacionin dhe na ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme”, tha Cana.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se ky është një projekt afatgjatë që do të shtrihet edhe në kopshtet e tjera publike, ku krahas infrastrukturës, një vëmendje do t’i kushtohet edhe zbatimit të programit të duhur didaktit dhe pedagogjik. “Duam që në një kohë rekord, siç punuam për rregullimin e gjithë kopshteve e çerdheve, të vijojmë me vendosjen e gjithë fushave të vogla sportive. Bashkë me drejtorin e Fondacionit do të kemi një program didaktik dhe pedagogjik për mësuesit që do të përfshihen. Do të bëjmë një garë edhe me MAS, se ashtu siç janë rikthyer mësuesit e shumësportit nëpër të gjithë shkollat e Tiranës, të njëjtën gjë ne, Bashkia dhe Fondacioni “Lorik Cana”, ta bëjnë për të gjitha kopshtet e Tiranës për të pasur një plejadë të re mësuesish që të sigurohemi që Tirana e ka të ardhmen e sigurt”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij, masivizimi i sportit te brezi i ri, është garanci për rritjen e tij në mënyrë të shëndetshme, larg basteve dhe kafeneve. “Më vjen mirë që kjo përkon, një ditë pas hapjes së Parkut Olimpik dhe shumë prej sportistëve elitarë u ndjenë të shpërblyer. Por unë besoj se përtej sportit elitar, na duhet sporti masiv dhe garancia që ata fëmijë nesër nuk do jenë klientët e ardhshëm të pikave të basteve, llotove, bingove dhe të kafeneve është në fakt ky investim që po bëjmë sot”, tha Veliaj teksa garantoi për mbështetjen që Bashkia e Tiranës do të japë për investime të tilla.

“Siç punuam me kopshtet, kur në një pjesë të madhe shumë biznese private që u bashkuan me Bashkinë, për të bërë këto investime, ashtu dua t’u bëj një thirrje të gjithë sipërmarrjeve që ende duan të vazhdojnë të ndihmojnë Bashkinë e Tiranës, nëse do ishin të gatshëm që të sponsorizonin një të tillë në kopshtin pranë biznesit të tyre apo lagjes së tyre”, tha ai.

Projekti Ka2al (KAZAL) startoi për herë të parë në Hungari në vitin 2010 me 2 projekte pilot. Në vitin 2011, Jenő Buzánszky, legjendari i mbrojtjes së ekipit kombëtar hungarez të futbollit krijoi fondacionin për përfitim publik të fëmijëve të kopshteve për zbatimin e një programi kombëtar sportiv për këtë grupmoshë. Projekti Ka2al në vetvete nuk është vetëm ndërtimi i fushës sportive. Ai përmban fushën, por edhe setin e mjeteve didaktike që do të demonstrohet më vonë nga fëmijët, dhe metodologjinë e punës me fëmijët. Metodologjia u krijua duke marrë në konsideratë nevojat e veçanta të moshës së kopshtit dhe përfshin edukimin e mësuesve të kopshteve për disa lloje sporti.

Article Logic
Execution time: 0.0038230419158936