INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: Drejt normalitetit, sot rikthehet uji në Tiranë

Veliaj: Drejt normalitetit, sot rikthehet uji në Tiranë

Publikuar më: 14:25 02-12-2017

Krahas punës për përballimin e situatës në terren si rrjedhojë e shirave të dendur që përfshinë kryeqytetin në 48 orët e fundit, Bashkia e Tiranës vijoi sot me shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë, kryesisht në zonat periferike. Me ndihmën e rrjetit të vullnetarëve u shpërndanë ndihma ushqimore, batanije e veshmbathje për familjet në zonën e ish Institutit, në Njësinë 8, në Njësinë 4 pranë Bregut të Lumit dhe në Njësinë 6.

Grupit të vullnetarëve iu bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili së bashku me të rinjtë paketoi një sasi ushqimesh dhe veshmbathjesh në magazinën e Rezervave të Emergjencës, që Bashkia e Tiranës ka ngritur në Farkë, e më pas u shpërndanë për familjet në nevojë.

Mandej, ai u bëri thirrje edhe bizneseve të tjera dhe çdo qytetari që kërkon të kontribuojë në këtë situatë që të ofrojë ndihmën e vet qoftë në ushqime apo materiale veshmbathje, ashtu edhe atë fizike, në mënyrë që pasi Tirana të kalojë këtë situatë të ketë mundësi të solidarizohet edhe me qytetet e tjera, që gjithashtu janë në vështirësi më të mëdha.

Në fund, Veliaj u ndal dhe tek çështja e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve të Tiranës, ku dha lajmin e mirë se situata në liqenin e Bovillës po përmirësohet ndjeshëm. Duke falenderuar grupet e punës së UKT dhe OSHEE për punën gjatë gjithë natës për vënien në punë të filtrave dhe të nënstacioneve në Bovillë, Veliaj garantoi qytetarët për normalizimin e situatës me furnizimin me ujë brenda ditës së sotme.

Kreu i Bashkisë sqaroi se portat e digës së Bovillës vijojnë të qëndrojnë të mbyllura dhe se niveli i liqenit është nën kuotën maksimale. Veliaj bëri të ditur se vendimin për hapjen e digës e merr administratori i shoqërisë, i cili paraprakisht ka detyrimin ligjor të njoftojë zyrtarisht edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës.

Article Logic
Execution time: 0.001986026763916