INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Dy vitet e para kanë qenë fantastike për Tiranën, ja projektet madhore do bëjmë deri në fund të mandatit”

Veliaj: “Dy vitet e para kanë qenë fantastike për Tiranën, ja projektet madhore do bëjmë deri në fund të mandatit”

Publikuar më: 12:44 07-06-2017

Me përfundimin e sheshit “Skënderbej”, Pazarit të Ri, Bulevardit të Ri dhe dy parkingjeve të para publike nëntokësore, në dy vitet e ardhshme Bashkia e Tiranës do të fokusohet në realizimin e disa projekteve të tjera madhore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të turit “Tirana - 2 vjet zgjuar” zhvilloi sot një takim me banorët e Njësisë Nr. 7, ku bëri bilancin e punëve që ka realizuar bashkia në dy vitet e para të mandatit, të cilat ai i konsideroi si fantastike për kryeqytetin. Teksa ftoi qytetarët që t’i bashkohen festimeve që do të organizohen të shtunën për hapjen e sheshit “Skënderbej”, Veliaj theksoi se akoma më shumë do ishte bërë në rast se administrata e mëparshme nuk do kishte lënë borxhe pa fund.

“Nëse borxhi që gjetëm do të kishte qenë më i ulët, nëse edhe infrastruktura do të kishte qenë më e mirë nga ajo që gjetëm, po të ishin pastruar më mirë plehrat, po të ishin çerdhet e kopshtet në gjendje më të mirë se ajo që gjetëm, pa dyshim që do kishim më pak probleme, do bënim më shumë punë; por ne jemi të destinuar të jemi optimistë për qytetin tonë, se dy mundësi janë: O ngremë duart përpjetë dhe themi ky vend nuk bëhet sepse kështu na e lanë të tjetër, ose mundohemi që çdo ditë të gjejmë një shans për të bërë një punë, për të realizuar një projekt, që duke ecur përpara përditë, me nga një punë konkrete, mund të dalim faqebardhë”, tha Veliaj.

Ai theksoi se motoja e Bashkisë është çdo ditë një punë konkrete dhe shtoi se me të njëjtin ritëm me të cilin u punua në këtë pjesë të parë të mandatit do të vazhdojë puna edhe në dy vitet e ardhshme. Veliaj deklaroi se paralelisht me punën që do bëhet në çdo lagje në mënyrë kapilare, në dy vitet e ardhshme do të realizohen edhe disa projekte të tjera madhore. Një prej tyre do jetë edhe ndërtimi i Kopshtit të ri Zoologjik.

“Na duhet të vijojmë me disa projekte madhore edhe në gjysmën e dytë të mandatit. Kemi ardhur në kohën kur duhet të mendojmë për gjeneratën e ardhshme, jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme. Kjo është arsyeja pse duke nisur nga nesër do të bëjmë prezantimin e masterplanit të Kopshtit të ri Zoologjik. Më në fund kemi një produkt fantastik nga arkitektët gjermanë. Është punuar dy vjet për këtë produkt dhe më në fund do kemi diçka cilësore për ta prezantuar. Kopshti Zoologjik dhe ai Botanik të jenë një surprizë fantastike për fëmijët e Tiranës”, tha Veliaj.

Një tjetër projekt surprizë në këto dy vite të ardhshme është edhe ai për rikonstruksionin e plotë të Piramidës. “Do të vazhdojmë me rikonstruksionin e Piramidës, është shumë e rëndësishme që të punojmë nëpër lagje, por ama kemi disa pjesë në qendër të qytetit që janë lënë pas dore. Plani ynë është ta kthejmë në një qendër fantastike kulturore për të rinjtë, për ekspozita, kinema, teatër, muzikë dhe për të gjitha aktivitetet rinore e kulturore që mund të ketë, duke qenë se është në zemër të qytetit dhe totalisht e pashfrytëzuar dhe ky do të jetë projekti ynë surprizë për gjysmën e dytë të mandatit tonë”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Gjithashtu, Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës do të përfundojë edhe ndërtimin e terminalit multimodal në hyrje të Tiranës, si një portë hyrëse e kryeqytetit. “Në Bashkinë e Tiranës nuk do ndërpritet puna asnjë ditë, përfshirë edhe fundjavën, ndaj këtë verë do të fillojmë me ndërtimin e terminalit të ri multimodal te kthesa e Kamzës. Është një mënyrë që shumë prej fugonëve, autobusëve që në pjesën më të madhe futeshin nëpër xhepat e njësisë 7, duke shkaktuar trafik, zënë vendet e rezidentëve, të gjithë do të kenë një terminal serioz për qindra autobusë e furgonë që kush jeton në Tiranë, të mos cenohet nga trafiku që vjen nga rrethet, ama kush vjen nga rrethet të ketë një vend ku përfundon udhëtimin e vet, në portat e qytetit dhe pastaj përdor transportin publik, në biçikletë apo në këmbë”, u shpreh kreu i bashkisë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vuri në dukje projektin e nisur tashmë për të ndërtuar fusha sportive në të gjitha kopshtet e Tiranës, ashtu siç është bërë tashmë në dy kopshtet e para. “Lorik Cana më bëri një propozim fantastik, duke parë se sa mirë po shkonin çerdhet e kopshtet në Tiranë, që të nisim një projekt ku në çdo kopësht të vendoset edhe një fushë sportive, që fëmijët të zhdërvjelltësohen; sigurisht jo të gjithë do bëhen yje futbolli, ndoshta jo të gjithë do kenë një karrierë profesioniste në futboll, por kjo nuk është vetëm për të gjetur talente futbolli, kjo është për të mësuar fëmijët si të luajnë në skuadër, si të mësojnë që në jetë nuk ia del dot vetëm. Kjo është arsyeja se pse bashkë me Lorikun brenda këtij viti do vendosim të gjitha fushat e sportit në të gjitha kopshtet e Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Duke shprehur angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të investuar në çdo lagje, Veliaj deklaroi se është vetëm çështje kohe që ndryshimi të prekë çdo rrugicë. “Për sa kohë që çdo ditë bashkia e Tiranës po bën një punë konkrete, është vetëm çështje kohe sa të vijmë edhe te rrugica jote. Në Tiranë kemi rreth 9980 rrugë dhe rrugica. Po pati një ditë që s’kemi bërë një punë konkrete thoni: Ah rrezik e zuri gjumi edhe këtë. Por për sa kohë ka një punë konkrete në qytet, besoj se kemi argumentet për të qenë shpresëplotë dhe për të vazhduar përpara”, tha ai.

Ndaj, për të bërë të mundur që bashkia të vijojë punën për ndryshimin e Tiranës, Veliaj theksoi se është e nevojshme që qytetarët në 25 qershor të zgjedhin vazhdimësinë, në mënyrë që qeveria të mbështesë financiarisht çdo ide dhe projekt në kryeqytet. “Po votuat Edi Ramën më keni hapur aq shumë dyer për punë. Po votuat bindshëm, më fort se herën e fundit për Edi Ramën dhe po morëm mbi 71 mandate, di t’ju them që nuk ka zot që e ndal Tiranë që të bëhet qyteti më i mirë i Ballkanit, me cilësinë më të mirë të jetesës me kopshte çerdhet, me lodrat më të mira. Po votuat bindshëm Edi Ramën, po ju them që ajo që kemi bërë këto dy vjet, do ju duket asgjë me çfarë do të bëjmë dy vitet e ardhshme”, deklaroi Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0036370754241943