INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Gjatë verës do të vijojnë investimet në të gjithë shkollat; atë që themi, e bëjmë realitet

Veliaj: “Gjatë verës do të vijojnë investimet në të gjithë shkollat; atë që themi, e bëjmë realitet"

Publikuar më: 13:30 12-04-2017

Bashkia e Tiranës po i jep një vëmendje të veçantë krijimit të ambienteve të reja sportive nëpër shkollat e kryeqytetit, por edhe përmirësimit të infrastrukturës shkollore në zonat rurale. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot në shkollën 9-vjeçare “Ibrahim Brahja” në Sauk, ku përuroi mjediset e reja sportive të shkollës dhe deklaroi vëmendjen e bashkisë për investimet në infrastrukturën e shkollave, për të qenë gati në shtator.

“Kur të nisë shtatori, jo vetëm do të kemi katër shkolla të reja në Tiranë, por do të kemi nisur edhe ndërtimin e 17 të tjerave, e do të sigurohemi që të vëmë dorë në secilën prej shkollave ekzistuese, nga Shëngjergji deri në ish Bllok”, tha Veliaj. Ai theksoi se falë investimeve të Bashkisë, kryeqyteti është transformuar duke i dhënë një rëndësi të veçantë edhe përmirësimit të infrastrukturës në zonat periferike.

“Sot jemi si dita me natën sepse jo vetëm kemi mbaruar Pazarin e Ri në Njësinë 2, jo vetëm kemi shtruar “damarët” kryesorë të njësisë, kemi rregulluar transportin publik në njësi, por ajo që besoj se është më e rëndësishme është se i kemi dhënë të njëjtën rëndësi si qendrës, ashtu edhe periferisë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se investimet cilësore janë shprehja më e qartë e mbajtjes së premtimit përpara qytetarëve. “Investimet cilësore në mjete mësimore, në banka, në ambientet sportive, laboratorë, ngrohje, kondicionim dhe në palestra cilësore si kjo, janë shprehja më e qartë se atë që themi e bëjmë realitet. Nuk ka më asnjë arsye pse të kalojmë kohën në pika bastesh, është më e rëndësishme të kalojmë kohë në fusha sportive si kjo palestër, ku bëhet ndeshja e vërtetë”, u shpreh ai.

Veliaj u bëri thirrje të rinjve të fokusohen te puna, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të ecin përpara. “Kush punon shpërblehet dhe nuk ka rëndësi nga vjen, si e ke mbiemrin, sa i vogël është vendi yt dhe sa modeste është ekonomia jote. Një njeri që punon shpërblehet, ose në karrierë, ose në sport a në talent”, tha kreu i Bashkisë, duke shtuar se mes punës dhe llafeve, Bashkia ka zgjedhur punën. “Ka sot një betejë të vërtetë në Shqipëri, ndonjëherë edhe politike, por në thelb të betejës është puna apo llafet; më vjen mirë që është puna ajo ku jemi fokusuar dhe në qoftë se edhe brezin e ri e fokusojmë te puna, është mënyra më e mirë si të ecim përpara”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për angazhimin në përmirësimin e infrastrukturës. “Bashkia është 24 orë në 24 në punë. E them me bindje që Bashkia s’ka pasur kohë të merret me llafe sepse flet vetë puna. Kjo palestër është një mrekulli. Dua të them fjalët më të mira edhe për kryeministrin që i shtoi orët e përgatitjes fizike”, tha Gjoza.

Brenda një kohe të shkurtër u ndërtua palestra e re, si dhe ambientet ndihmëse si tualete, dhoma zhveshje dhe dushe. Shkolla 9-vjeçare “Ibrahim Brahja” ku studiojnë rreth 500 nxënës, është pajisur edhe me sistem ventilimi, si dhe është bërë shtrimi i saj me parket druri, ndërsa është sistemuar edhe oborri.

Article Logic
Execution time: 0.00341796875