INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Investimet në shkolla, prioriteti ynë; garat fitohen duke luajtur në datën dhe orën e caktuar”

Veliaj: “Investimet në shkolla, prioriteti ynë; garat fitohen duke luajtur në datën dhe orën e caktuar”

Publikuar më: 12:23 11-04-2017

Bashkia e Tiranës vijon punën për rikonstruksionin e ambienteve sportive në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e kryeqytetit. Sot, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një ndeshje basketbolli me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “7 Marsi”, të cilët tanimë kanë një palestër të rikonstruktuar ku mund të zhvillojnë orën e fiskulturës. Veç palestrës, Bashkia e Tiranës ka rregulluar sistemin e ngrohjes dhe nyjeve higjeno-sanitare të shkollës, e cila falë ndërhyrjes ofron kushte më të mira për nxënësit. Kryetari i bashkisë shprehu kënaqësinë për punën e kryer, ndërsa theksoi ky vit do jetë i fokusuar në mënyrë të veçantë te përmirësimi i infrastrukturës shkollore.

“Më vjen mirë që këtu në shkollën “7 Marsi” kemi investuar në palestrën e re, në rehabilitimet e nevojshme për hapësirat higjeno-sanitare dhe sigurisht, me sistemin e ngrohjes. Dimrin e kaluam me sukses, ndonëse kemi pasur disa anomali në mbi 200 shkolla që ka Tirana. Do rikuperojmë ç’të mundemi gjatë verës, që të sigurohemi që viti tjetër të na gjejë 100% një histori suksesi sa takon ngrohjes së shkollave”, tha Veliaj. Ai shtoi se një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe ambienteve sportive nëpër shkolla, si mënyra më e që nxënësit të merret me aktivitete fizike.

“Deri tani kemi investuar në 7 palestra të reja, për t’u siguruar që nxënësit kanë mundësi të merren me sport dhe të angazhohen fizikisht. Është shumë e rëndësishme që fëmijët t’i heqim nga të ndenjurit në kafe, s’duhet të mësojmë një brez të ri që rri në lloto dhe jeton me shpresën e llotos. Është shumë e rëndësishme që fëmijët të dalin me 10-a, por është po aq e rëndësishme që të merren me sport dhe të jenë qytetarë të mirë. Nëse i bëjmë këto, besoj se do të kemi një të ardhme dhe një qytet shumë herë më dinjitoz”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës nënvizoi se puna për infrastrukturën arsimore në Tiranë do të vazhdojë në dy drejtime paralelisht, ku krahas ndërtimit të shkollave të reja, do të vijojë edhe rikonstruksioni dhe përmirësimi i kushteve edhe në shkollat aktuale. “Po investojmë në disa shkolla të reja moderne si në Kombinat, shkolla “Betim Muço”, në lagjen 2 te Pazari i Ri, shkolla “Hoxha Tahsin”, shkolla te Bregu i Lumit që është një kompleks i ri, shkolla Kosova, e cila fillon së shpejti, por besoj se është shumë e rëndësishme që të mirëmbajmë dhe të ngremë cilësinë edhe të shkollave ekzistuese”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës veçoi si të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e punëve në qytet edhe zhvillimin e zgjedhjeve në 18 qershor. “Sot pata kënaqësinë të luaj një ndeshje basketbolli dhe meqë e kishim lënë orarin e zhvillimit të saj, u paraqita në orar. Ekipi im humbi, e megjithatë i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe u larguam në paqe. Kjo besoj kuptohet edhe nga fëmijët, se edhe ndeshjet e tjera, qofshin ato politike, kur ka një datë, siç është data 18 qershor, një orar, palët paraqiten në garë dhe pastaj rezultati varet nga pikët”, tha Veliaj.

Ai shtoi se është e rëndësishme edhe zhvillimi i kulturës së pranimit të rezultatit që prodhon loja, qoftë kur fiton, ashtu edhe kur humbet. “Edhe fëmijët e kuptojnë se mënyra për të ecur para është jo duke tërhequr këmbët zvarrë për të mos hyrë në garë, por duke qenë në garë dhe duke fituar me përulësi ose duke humbur me dinjitet; këto janë opsionet. Ashtu si kjo ndeshje basketbolli, rezultat pa garë nuk ka, ndaj besoj se ashtu siç e kanë kuptuar fëmijët, që gara e bën më të mirë qytetin, e bën më të mirë një nxënës, e bën më të mirë një njeri që mëson si të humbasë dhe si të fitojë. Edhe politika duhet të mësojë nga fëmijët. Me pak garë të ndershme, të sinqertë, duke u paraqitur në orar, duke bërë secili më të mirën, merr një rezultat që i kënaq të gjithë!”, përfundoi Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0035390853881836