INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Në shkollat e reja kemi mësuesit më të mirë

Veliaj: “Në shkollat e reja kemi mësuesit më të mirë"

Publikuar më: 17:24 28-09-2017

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rehabilitimin e të gjitha institucioneve arsimore në territorin e Njësisë Administrative Nr. 8. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi shkollën 9-vjeçare “Siri Kodra”, e cila këtë shtator hapi dyert për rreth 600 nxënës. Rikonstruksioni i saj zgjidh përfundimisht problematikat që ka pasur ndër vite një nga zonat më të vjetra të kryeqytetit.

Kryebashkiaku theksoi se fokusi i Bashkisë së tiranës tashmë do të jetë te zonat rurale. “Me rikonstruksionin e plotë të shkollës “Siri Kodra” i japim fund përfundimisht të gjitha problematikave që kemi pasur me institucionet arsimore, çerdhe, kopshte, shkolla në Njësinë 8. Kjo na liron që të orientohemi më shumë drejt zonave rurale apo në zonat ku ka pasur një degradim të institucioneve arsimore”, tha Veliaj.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës, në shkollat e reja janë përzgjedhur mësuesit më të mirë të renditur në Portalin “Mësues për Shqipërinë”, duke garantuar në këtë mënyrë edhe cilësi në mësimdhënie. “Më e rëndësishmja është se në shkollat e reja dhe të rikonstruktuara po shkojnë mësuesit më të mirë të përzgjedhur nga portali. Besoj se kush e ka provuar, nuk ka dalë i zhgënjyer, përkundrazi po thonë si ka mundësi që kam torturuar fëmijën tim me fiksimin për ta çuar në një shkollë të mirë, por në turnin e dytë, ndërkohë shkollën e kam pasur ngjitur me shtëpinë e time, me cilësi të shumë të mirë si në infrastrukturë, ashtu edhe në mësimdhënie”, tha ai.

Veliaj ftoi prindërit që të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat e reja të hapura këtë vit, duke lehtësuar në këtë mënyrë edhe mbingarkesën nëpër klasa. “Ii ftoj të gjithë qytetarët që të frekuentojnë shkollat e reja, jo vetëm si infrastrukturë, por aty do të gjejnë disa nga mësuesit më të mirë. E di që qyteti është i mbushur plot me legjenda urbane që datojnë nga vitet 70-80, që filan shkollë është e mirë, filan shkollë është elitare. Dua t’ju them që shumica dërrmuese e profesorëve që kanë dhënë mësim në vitet ‘70-‘80 tashmë kanë dalë në pension. Reputacioni është aty ku janë njerëzit. Do të thotë që gjithnjë e më shumë duhet t’i kushtojmë rëndësi shkollës që kemi afër, ku kemi çuar edhe mësuesit më të mirë. Ndaj, për këtë arsye dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të shkojnë tek shkolla e tyre më e afërt”, nënvizoi ai.

Duke e cilësuar të suksesshëm hapjen e shkollave të reja dhe rikonstruksionin masiv të atyre ekzistuese, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se me investimet e reja është zgjidhur edhe problemi i ngrohjes nëpër shkolla, i cili nuk ka ekzistuar ose ka qenë degraduar si pasojë e mosvënies dorë për vite me radhe. “Jam shumë mirënjohës që Tirana doli faqebardhë në këtë fillim të vitit të ri shkollor dhe fokusin kësaj here e kemi pasur tek infrastruktura që i paraprin ditëve të dimrit, ndaj dhe investimet më të mëdha kanë qenë në sistemet e ngrohjes dhe në sistemet sportive, gjithashtu për të fuqizuar rolin që ka sporti. Jo detyrimisht për t’u bërë të gjithë sportistë elitare, por për të futur kulturën e një jete të shëndetshme në një qytet që gjithmonë e më shumë ka probleme me obezitetin dhe me shëndetin e fëmijëve që në moshë të vogël”, deklaroi Veliaj.

Ndërhyrja për rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Siri Kodra”, konsistoi në sistemimin e të gjitha linjave elektrike, hidraulike, nyjeve higjeno-sanitare, si dhe rehabilitimin e palestrës. Gjithashtu, është realizuar rilyerja e fasadës dhe sistemimi i ambienteve të jashtme.

Article Logic
Execution time: 0.0037300586700439