Pak ditë më parë në Vitoria-Gasteiz të Spanjës ishte I ftuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai mbajti një ligjëratë në eventin TEDx, rrjeti ndërkombëtar më prestigjoz i folësve publikë, për të prezantuar modelin e suksesshëm të ndryshimit që ka pësuar kryeqyteti shqiptar, në këto dy vite, dhe se si fëmijët janë protagonistët kryesorë dhe fuqia e këtij transformimi.
Prezantimi i tij me titull “Superheronjtë urbanë: Një qytet i transformuar nga fëmijët”, i cili u prit me duartrokitje nga të pranishmit, u përqendrua në nevojën që kishte Tirana për të ndryshuar për shkak të vështirësive, të cilat kërkonin zgjidhje të menjëhershme si trafiku, ndotja, ndërtimet e paligjshme, mungesa e çerdheve dhe e kopshteve etj, dhe se si dëshira e fëmijëve për ndryshim ishte energjia që e çoi përpara transformimin e Tiranës.
“Kur ne u zgjodhëm për të drejtuar, ishte shumë emocionuese që pasi kishim drejtuar një fushatë shumë argëtuese, plot me energji pozitive, erdhi dita e parë e punës. Po tani çfarë do të bëjmë, nga do t’ia nisim? Kur je duke drejtuar një qytet, të gjithë përpiqen të të japin mendje sesi mund të bëhen gjërat, por nëse ti nuk ke miliarda euro, nuk je anëtar i Bashkimit Europian, nuk ke mbështetje nga jashtë, nga t’ia nisësh?”, tha Veliaj, duke nënvizuar se situata u përballua falë këmbënguljes për t’i shkuar deri në fund nismave dhe mbështetjes së pakufishme të fëmijëve.
Kreu i Bashkisë solli në vëmendje disa shembuj të suksesshëm që sollën ndryshim të dukshëm në kryeqytet, qoftë në infrastrukturë, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore. Rikonstruksioni i kopshteve dhe çerdheve, të cilat ishin në një gjendje të mjerueshme në vitin 2015, ishte një nga nismat e para të Bashkisë së Tiranës që prodhoi energji pozitive, që fëmijët të rriteshin në mjedise komode.
“Atëherë them le të lëshojmë një alarm SOS në qytet. Jemi trokë, por le të mos heqim dorë. Pse të mos telefonojmë çdo kompani në qytet, çdo dizajner, arkitekt, pse të mos thërrasim studentët e rinj, të cilët kanë energji, kanë talent dhe duan të ndihmojnë.Kështu organizuam fushatën “Adopto një kopësht”. Në krye të pak javëve, kopshtet u bënë. Kur të gjithë u bashkuan, shpenzuam 0 para, por morëm shumë energji, të cilën qyteti ua ktheu fëmijëve”, tha Veliaj, duke shtuar se tashmë kërkesa për të regjistruar fëmijët në kopshtet shtetërore është më e lartë se ata që parapëlqejnë ato private.
“Kur i pyesim njerëzit: Cili e do ndryshimin? Të gjithë thonë: Unë e dua ndryshimin! Kjo tingëllon si diçka e shkëlqyer. Por, pastaj i pyet njerëzit: Kush do të ndyshojë? Dhe njerëzit stepen dhe thonë: Le të ndryshojë ky i pari, ose le të ndryshojë ajo e para, unë do ndryshoj më vonë. Kurse fëmijët nuk e thonë këtë; fëmijët e duan ndryshimin dhe duan të ndryshojnë. Ndaj, përgjigja që morëm prej tyre ishte fantastike. Tani kemi 11 kërkesa për çdo 1 vend të lirë në kopshtet e Tiranës, ndërkohë që më përpara mezi e mbushnim një kopësht shtetëror, pasi të gjithë synonin kopshte private”, tha Veliaj.
Pas suksesit të kësaj nisme, Bashkia shkoi edhe më tej, duke e konsideruar lirimin e hapësirave të zëna si një mision për t’ua kthyer ato fëmijëve.
“Kështu projektuam një park kombëtar lodrash dhe thamë se do të ndërtojmë aty parkun më të mirë të lodrave në të gjithë Europën Lindore. Është e habitshme rezistenca që u bë për ta penguar këtë. Në 100 ditët e ndërtimit të këtij parku lodrash, patëm 78 protesta të dhunshme. Por, urdhëri im ishte i qartë: Çdo ditë ata shkatërrojnë, çdo ditë ne ndërtojmë”, tha Veliaj, duke iu referuar këndit të lojërave te Liqeni Artificial.
Ky kënd ishte frymëzimi për të ndërtuar kënde lojërash në çdo lagje të Tiranës, çka solli një revolucion të vërtetë në kryeqytet. Veliaj u shpreh se fëmijët u bënë avokatët më të mirë të punëve të qytetit dhe përqafuan menjëherë edhe dy nismat e tjera të bashkisë, si “Dita pa makina” dhe ajo e “diferencimit të mbetjeve që në burim”.
“Kur donim të fillonim “Një ditë pa makina”, në një vend ku kryeqyteti, në dy dekada, nga 17 makina u bë me 170.000 mjete, për pak sa nuk u bllokuam, të gjithë u zemëruan shumë, më telefononin, bërtisnin, më shanin në mediat sociale. Por, mënyra e vetme për të fituar këtë betejë ishte kur fëmijët dolën në rrugë, i zunë të gjithë rrugët, dhe ishte shumë e vështirë për t’i rezistuar këtij ndryshimi. Jo vetëm që patëm disa ditë të mrekullueshme pa makina, por vendosëm të kthejmë zona të tëra të qytetit, në zona pa makina”, vijoi Veliaj.
Kështu, erdhi vendimi për të hequr të gjitha makinat nga zemra e qytetit, duke e shndërruar gjysmën e tij në një shesh të hapur për fëmijët,por edhe në një pyll me pemë për t’u çlodhur. “E njëjta gjë na ndodhi edhe me pastrimin. Kur u thamë njerëzve, le të kemi një ditë pastrimi në Tiranë, shumë prej tyre thanë: Është puna jote, ti je kryebashkiaku, ti pastroje. Fëmijët nuk ankohen, ata erdhën të gjithë, sepse ndjenë që qyteti ishte i tyre dhe duhej të ndihmonin. Atëherë vendosëm të prezantojmë konceptin që ju europianët tashmë e keni në zbatim prej kohësh, për diferencimin e mbetjeve. Fëmijët u përgjigjën të parët”, u shpreh ai.
Kryetari i Bashkisë e cilësoi magjepsëse forcën e ndryshimit që vjen nga fëmijët dhe kjo ka ndikuar direkt në transformimin e qytetit, i cili sot është më i jetueshëm. “Ne mund të jemi të gjithë si Piter Pani dhe të krijojmë botën tonë të vogël të Kurrkundit aty ku jemi dhe mendoj që, duke vendosur fëmijët të parët, mund të bëjmë ndoshta revolucionet më të mira që kanë parë ndonjëherë qytetet tona”, përfundoi Veliaj fjalën në TEDx.
Eventet TEDx janë shumë të njohura në botë dhe organizohen çdo vit. Ato bëjnë bashkë njerëz të njohur nga e gjithë bota, politikanë, studiues, muzikantë, shkencëtarë, arkitektë etj, të cilët me fjalimet e tyre frymëzuese sjellin eksperienca të ndryshme për çështje të ndryshme. Eventet TEDx regjistrohen dhe shfaqen falas për publikun e gjerë, si një mënyrë për të nxitur diskutim, bashkëveprim dhe ide.