INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj:'Po sjellim të njëjtin standard si në qendër, ashtu edhe në periferi'

Veliaj:'Po sjellim të njëjtin standard si në qendër, ashtu edhe në periferi'

Publikuar më: 12:15 29-08-2018

Baltë në dimër, pluhur në verë, gropa dhe ujëra të zeza kudo. Kjo ishte panorama e asaj që ofronte Rr. “Besnik Hidri” në Laprakë një vit më parë. Por, falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës, banorët e lagjes sot kanë një rrugë të shtruar, me trotuare, ndriçim, sinjalistikë, përfshi edhe rrjetin e kanalizimeve, të ujërave të bardha dhe të zeza. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet e kryera për ndërtimin e Rr. “Besnik Hidri” dhe tha se ky investim tregon vëmendjen që Bashkia e Tiranës po i jep në vitin të fundit të mandatit të parë investimeve në periferi.

“Bregu i Lumit prek sot Njësinë 11, Njësinë 9, Njësinë 8 dhe Njësinë 4 e nëse viti i parë ishte viti i emergjencave, viti i dytë ishte viti i zonave qendrore të Tiranës, viti i tretë ishte viti i fshatrave, që lidhen me Tiranën, viti i katërt është viti i investimeve në periferi. Siç e shikoni, kemi kaluar pjesën më të madhe të gushtit në periferi. Duam që e gjithë zona e Bregut të Lumit, në të katër njësitë, të lidhet me Tiranën dhe të kenë të njëjtin standard si në ndriçim, si në infrastrukturë, si në fibra optike, si në kanalizim, si në ujë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai shtoi se edhe në këtë zonë, ashtu si në çdo vend tjetër ku ka investuar Bashkia e Tiranës, rikualifikimi urban ka sjellë jo vetëm kushte më të mira jetese për banorët, por edhe ka rritur vlerën e pronës së tyre. “Më vjen mirë që nëse herën e parë diskutohej çfarë do të ndodhë me shtëpinë time, sot njerëzit flasin për vilën e tyre. Është e njëjta ndërtesë, fjala vilë nga fjala shtëpi ndryshon vetëm për faktin që janë kuruar muret, janë ulur bazamentet, njerëzit nuk rrethohen me barriera për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, por e trajtojnë komunitetin si një shtëpi të tyre të përbashkët”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i bashkisë kërkoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e banorëve që të mirëmbajnë investimet, ndërsa siguroi se deri në fund të mandatit të parë, të gjithë qytetarët e kryeqytetit do të ndjejnë investimet dhe punën e Bashkisë së Tiranës. “Na duhet ta ruajmë këtë investim, që të kalojmë në një investim tjetër. Vitin e fundit të mandatit të parë do ta kalojmë të fokusuar tek periferitë. Në mënyrë proporcionale, në të gjithë territorin e Tiranës, të gjithë do prekin punën e bashkisë. Na mbetet t’i japim një sforco të fundit, deri në datën 17 shtator kur hapen shkollat, për të mbyllur infrastrukturën arsimore, çerdhe, kopshte, shkolla, sidomos të rejat që hapen për herë të parë, dhe sigurisht duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve që teksa kthehen nga pushimet, ne i japim dorën e fundit të asfaltit dhe sinjalistikës 100 kantiereve që kemi hapur në qytet”, tha Veliaj.

Deputeti i PS, Ulsi Manja falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që ka treguar ndaj Njësisë 11, duke theksuar se tashmë edhe kjo zonë po integrohet plotësisht me pjesën tjetër të Tiranës. “Siç e shihni vetë, gjatë gjithë muajit gusht edhe njësia jonë ka qenë kantier ndërtimi për Bashkinë e Tiranës. Janë disa punë të hapura, të cilat një pjesë kanë përfunduar në gusht, një pjesë tjetër përfundojnë në fund të vitit. Edhe në zonën e Spitalit Ushtarak kemi një investim në përfundim e sipër. Vetëm në njësinë tonë janë 5.2 milionë euro investime”, tha Manja.

Rruga “Besnik Hidri” ndodhet në Njësinë 11 dhe shtrihet në një zonë të zhvilluar pas viteve ’90. Rruga është pajisur me trotuare në të dyja krahët, ndriçim dhe sinjalistikë të nevojshme. Gjithashtu, në rindërtimin e rrugës janë kryer të gjitha punimet e nevojshme që kanë të bëjnë me rrjetin e kanalizimeve dhe ujërave të zeza.

 

Article Logic
Execution time: 0.0042638778686523