INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Premtim i mbajtur, kemi të drejtën t’i shohim njerëzit në sy për punët e bëra në Tiranë”

Veliaj: “Premtim i mbajtur, kemi të drejtën t’i shohim njerëzit në sy për punët e bëra në Tiranë”

Publikuar më: 12:51 10-04-2017

Në shtator, në 60-vjetorin e ndërtimit të saj, Shkolla e Baletit do të hapë dyert për të mirëpritur nxënësit pas rikonstruksionit të plotë nga Bashkia e Tiranës. Godina e rrënuar nga amortizimi, si pasojë mungesës së investimeve për vite me radhë, sot është transformuar tërësisht në një shkollë moderne për edukimin e artistëve të rinj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Administratori i Njësisë nr.2, Elez Gjoza, inspektoi ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e shkollës, ku theksoi se ky është një premtim i mbajtur nga ana e bashkisë.

Veliaj tha se shkolla të tilla janë një vlerë e shtuar për nxënësit e rinj, sepse më pas, ata si artistë bëhen ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë. “Jam shumë entuziast për ecurinë e punimeve te Shkolla e Baletit. Kjo shkollë, ashtu si Liceu Artistik, kanë prodhuar ‘ambasadorët’ më të mirë të Shqipërisë në botë, për imazhin e vendit. Besoj se është në nderin tonë që, teksa i afrohemi gjysmës së mandatit në Bashkinë e Tiranës, të paktën shkollat kombëtare t’i sjellim në kushte optimale studimi, ashtu siç bëmë edhe me Liceun”, tha kryebashkiaku.

Ai deklaroi se tashmë qytetarët e bëjnë kollaj dallimin mes atyre që janë të fokusuar te puna dhe atyre që humbasin kohë me fjalë. “Për qytetarët e Tiranës është bërë e qartë se shoqëria, duam apo nuk duam ne, është e ndarë në dy pjesë: një pjesë që është e fokusuar te puna, investohet te puna, dhe pjesa tjetër që po mundohet të kthejë Shqipërinë e llafeve, thashethemeve, të bllokimit. Unë besoj se njerëzit janë më entuziastë për të ndërtuar më shumë shkolla, se sa për të ngritur më shumë çadra; janë më optimistë për të ndërtuar më shumë rrugë, se sa për të bllokuar rrugë; janë më të gatshëm që të fokusohen te puna, se të fokusohen te gjumi”, tha ai.

Veliaj theksoi se 18 qershori është momenti ideal për të marrë vlerësimin e qytetarëve për të gjitha premtimet e mbajtura dhe investimet e realizuara në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit. “Edhe në datën 18 qershor do të na duhet që të mbështesim Shqipërinë e punës dhe të progresit, të tregojmë se oferta jonë është për më shumë punë, progres dhe më shumë investime. Ne në Tiranë kemi se çfarë të tregojmë në datën 18 qershor, kemi të gjithë të drejtën t’i shohim njerëzit në sy për premtimet e mbajtura, jo vetëm këtu në njësinë 2, por në të gjithë territorin e Tiranës. Është një moment ideal, që edhe ne të marrim një notë vlerësimi, nëse këto politika progresive të qeverisë dhe Bashkisë janë mënyra se si ecim përpara”, u shpreh Veliaj.

Administratori i Njësisë nr. 2, Elez Gjoza, falenderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për angazhimin e treguar, jo vetëm për realizimin e një sërë investimesh të rëndësishme për shkolla dhe çerdhe, por edhe për përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme për të gjithë komunitetin e kësaj njësie.

Deri më tani, në Shkollën e Baletit ka përfunduar puna për hidroizolimin e tarracës dhe mbulimin me panel, rikonstruksioni i fasadës me sistem kapotë, veshja me kompozit, suvatimet dhe vendosja e dritareve të reja. Parketi i vjetër i sallës së baletit, i cili ishte dëmtuar rëndë si pasojë e reshjeve të shiut që futej brenda, është zëvendësuar me një parket të ri, ndërsa janë në proces instalimet elektrike, sistemi i ngrohjes dhe ftohjes.

Article Logic
Execution time: 0.0036759376525879