INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Sheshi Skënderbej do të jetë një nga më të bukurit në botë, investim që e shlyen veten vetë”

Veliaj: “Sheshi Skënderbej do të jetë një nga më të bukurit në botë, investim që e shlyen veten vetë”

Publikuar më: 14:35 08-06-2017

Në vijim të turit “Tirana-2 vjet zgjuar” kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me banorët e Njësisë Administrative Nr.8, ku bëri një bilanc të punëve publike që janë bërë në këtë zonë, si dhe të projekteve madhore që kanë prekur gjithë kryeqytetin. Ai theksoi se një nga projektet më të rëndësishme, por edhe më të bukura të realizuara në këto dy vite të para të mandatit të tij si kryetar bashkie, është pikërisht transformimi i sheshit “Skënderbej”. Teksa ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e festimeve që do të organizohen për hapjen e sheshit në 10 qershor, ora 19.30, Veliaj shtoi se Sheshi Skënderbej do të jetë një nga sheshet më të bukura jo vetëm në rajon.

“Ende pa u hapur, kemi marrë një ftesë zyrtare nga bienalja e Çikagos, që është një nga bienalet më të mëdha të arkitekturës në botë, për ta prezantuar sheshin “Skënderbej” si një nga projektet më të mira të arkitekturës sot. Kështu që Saliut, Lulit, atij tjetrit me pistoletë, që vajti të prishte lodrat e fëmijëve dhe tani na e kthejnë si deputet, iu them se arsyeja pse jeni të mërzitur është sepse sheshi është bërë kaq i bukur e i madh saqë ju s’keni më as mbështetës me çfarë ta mbushni. Ama, qytetarë të Tiranës, fëmijë që luajnë, gjyshe e gjyshër që do të vijnë të pushojnë aty, do të ketë sa të duash”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se sheshi ofron një raport të përmbysur mes sipërfaqes së gjelbëruar dhe asaj të ngurtë. “Sheshi Skënderbej sot ka 28 mijë m2 me gurë nga e gjithë Shqipëria dhe 32 mijë m2 gjelbërim, pemë, shkurre e lule. Kjo do të thotë se për herë të parë kemi një shesh i cili në totalin e projektit të vet ka më shumë gjelbërim se sa ka pllakë. Sheshi kryesor i Vienës nuk ka asnjë pemë, as sheshi kryesor i Hagës, as sheshi i Amsterdamit, as sheshi i Roterdamit, meqë e kemi nga Holanda, as sheshi San Marco në Venecia nuk ka të mbjellë asnjë pemë, kurse sheshi Skënderbej ka 2200 pemë”, theksoi Veliaj.

Ai deklaroi se sheshi tashmë ofron mundësi edhe për ata që duan të zhvillojnë aktivitete në shesh, ashtu edhe për ata që duan të kalojnë kohën nëpër hijet që ofron pjesa e pyllëzuar. Veliaj shtoi se veç lulishteve dhe hijeve që ofrojnë zonat përreth, sheshi do ketë një freski të shtuar nëpërmjet shatërvanëve të shumtë që do të funksionojnë në të gjithë sipërfaqen. “Sheshi ka 100 shatërvanë që gurgullojnë ujë gjithë kohën, duke krijuar freskinë e nevojshme. Duke qenë se sheshi ka pendencë, uji zbret në fund, filtrohet dhe del prapë në sipërfaqe. Pra, ruan çdo pikë shiu që bie dhe kjo është hera e parë që kemi një shesh ekologjik”, nënvizoi kryebashkiaku i Tiranës.

Ai theksoi se sheshi arrin ta nxjerrë investimin e vet nëpërmjet parkimit publik nëntokësor. “Për herë të parë po bëjmë një investim publik i cili paguan veten e vet. Bëhen sheshe, bëhen lulishte, bëhen stadiume, por asnjëherë nuk paguajnë dot koston e tyre. Gjysma e sheshit është parking dhe në vend që t’ia japësh lekët atij me arka që të gërvisht makinën, më mirë ia jep bashkisë, e cila bën investime të tjera. Pra, është hera e parë që një investim jo vetëm është i bukur, jo vetëm është i mirë, por i nxjerr lekët e veta”, tha kreu i Bashkisë.

Ai theksoi se pavarësisht vendosmërisë së bashkisë për të punuar çdo ditë me të njëjtin ritëm, Tirana do të ishte sot edhe më e mirë nëse nuk do të kishte trashëguar borxhe pa fund nga administrata e mëparshme. “Së pari, sepse jemi në gjysmë të rrugës, ende s’na ka mbaruar mandati, pra kemi ende shumë për të bërë, por së dyti, një nga arsyet pse s’i kemi bërë të gjitha gjërat është se e gjetëm shtëpinë rrëmujë, sikur kishte rënë tërmeti. Por besoj se ia filluam siç do kishte filluar secili tek shtëpia e vet, nga fëmijët, kështu u fokusuam te çerdhet dhe kopshtet”, shtoi Veliaj.

Duke u ndalur në projektet madhore që do të realizojë bashkia në 2 vitet e ardhshme, Veliaj lajmëroi prezantimin e projektit të ri të Kopshtit Zoologjik, i përgatitur nga ekspertët gjermanë. “Sot do të prezantojmë Masterplanin e Kopshtit të ri Zoologjik, që fëmijët e Tiranës të kenë jo vetëm çerdhe, kopshte, shkollë 5 ditët e javës, por edhe në fundjavë, përveç këndit të lodrave, përveç rehabilitimit që kemi bërë te liqeni dhe aktiviteteve, të kenë një kopësht zoologjik, siç ka në çdo vend tjetër në Euorpë. Më vjen mirë që për fëmijët kemi një tjetër surprizë dhe menjëherë do fillojmë investimin që Kopshti Zoologjik dhe Kopshti Botanik të bashkohen në një të vetëm, për të patur një hapësirë fantastike për fëmijët”, bëri të ditur Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u ndal edhe në një nga projektet që kërkojnë të nxisin lëvizjen në Tiranë me mjete ekologjike, siç janë biçikletat. “Në rrugën e “Dibrës”, për herë të parë do të fusim korsi të dedikuara, të mbrojtura, të biçikletës. Do të thotë që nuk mund të quhet korsi biçikletash ajo vija e hequr në rrugë, se atë vijën e shkel makina kur të duash dhe siç e keni parë nuk ecën dot në korsi të biçikletave në rrugën e “Dibrës”. Korsitë e biçikletave që do fillojnë nga ky muaj, do të jetë një korsi me sinjalistikë të ngritur që makina nuk futet dot”, tha kryetari i Bashkisë.

Veliaj foli edhe për çështjen e statusit muzeal të disa zonave në Tiranë, duke theksuar se do t’i jepet mundësi banorëve që të zhvillojnë pronën e tyre. “Nuk po flasim për të bërë pyll me grataçela, por për t’i dhënë të drejtën çdokujt të zhvillojë pronën e vet sepse sot nga një kurorë janë bërë tre kurora që jetojnë në shtëpi prej qerpiçi, kanë nipa e mbesa të martuar po në atë shtëpi”, nënvizoi Veliaj.

Ai deklaroi se tashmë investimet e Bashkisë po shkojnë në nivel kapilar në çdo lagje të kryeqytetit dhe është vetëm çështje kohe sa të ndërhyhet në çdo rrugicë. “Sot e quajmë “Tirana - 2 vjet zgjuar” sepse besojmë se i gjithë qyteti në të gjitha qelizat është zgjuar, jo vetëm në qendër të Tiranës ku po mbaron sheshi “Skënderbej”, por edhe te lagja “Besa”, edhe te Bregu i Lumit, edhe në këto rrugicat e vogla si ish-rrugica e Partisë; pra, po futemi në nivel kapilar për t’u thënë njerëzve se e kemi mendjen te puna, jo te gjumi, jo te llafet, jo te zullumi, jo te sherret, jo te thashethemet, jo te cinizmi, jo te ironia, jo te të sharat, jo te lufta me njëri-tjetrin, por te bashkimi për punë, përveshja e mëngëve për punë”, përfundoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës renditi edhe një sërë investimesh të prekshme për të gjithë qytetarët e njësisë Nr. 8 si dhe projektet për të ardhmen.

Investimet e realizuara brenda dy viteve

Mobilimi urban i bllokut te kufizuar nga rruga Memo Meto dhe Ferit Xhajko;

Rikualifikimi i Rr. "5 Maji";

Rikonstruktimi i Fasadave në Rr. e Dibrës.

Rikonstruktimi i rrjetit të Ujësjellësit në Rr "Shenasi Dishnica"

Rikonstruktimi i rrjetit të Ujësjellësit në Rr. “Siri Kodra"

Rikonstrukturimi i Çerdhes Nr. 13

Rikonstrukturimi i Çerdhes Nr. 45 Rr. “Gjon Buzuku”

Rikonstruktimi i Kopshtit Nr.19 Rr. “Musa Maçi”

Rikonstrukturimi i Kopshtit Nr. 6 Rr. “Ibrahim Kazazi”

Rehabilitimi dhe instalimi I Sistemit të Ngrohjes ne Shkollen 9-vjecare 4 Deshmoret;

Rikonstrukturimi i Shkollës “e Kuqe”.

Investimet e projektuara

Ndertimi nga fillimi shkollen 9-vjecare Servete Maci;

Rikonstrukturimi i shkolles 9-vjecare Siri Kodra;

Rikonstrukturimi i infrastrukturës rrugore te bllokut qe kufizohet nga rruga Besa - Siri Kodra - Zenel Bastari - Haki Rexhep Kodra (perfshin dhe rrugen tek Nish Kimike);

Rikonstrukturimi i infrastrukturës rrugore te bllokut qe kufizohet nga rruga Qemal Stafa - rruga e Dibres dhe rruga Bardhyl;

Ndërtimi i Korsive të bicikletave në rrugën e Dibres;

Rikonstrukturimi i infrastrukturës rrugore te bllokut qe kufizohet nga rruga Siri Kodra - rruga e Dibres - Ibrahim Buzhiqi dhe Ferit Xhajko.

Rikonstrukturimi i infrastrukturës rrugore te bllokut qe kufizohet nga rruga Siri Kodra - Besa - Jashar Erebara-Gezim Kaceli dhe Lumi i Tiranes.

Article Logic
Execution time: 0.0041210651397705