INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: “Sheshi Skënderbej është kthyer në një mushkëri të re për Tiranën

Veliaj: “Sheshi Skënderbej është kthyer në një mushkëri të re për Tiranën"

Publikuar më: 13:01 09-06-2017

Njësia Administrative Nr. 5 në Tiranë është një nga zonat që ka ndjerë më shumë ndryshimin, si pasojë e investimeve të shumta që ka kryer Bashkia e Tiranës në këto dy vite. Në një takim me banorë të kësaj njësie, ku mori pjesë edhe deputeti i PS, Pandeli Majko, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri një bilanc të punëve që janë kryer në dy vite, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë një lloj vlerësimi edhe për punën e bërë në kryeqytet. Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës shkon e sigurt dhe me një bilanc pozitiv në provimin e zgjedhjeve të ardhshme, pasi në 2 vjet ka mundur të bëjë në Tiranë më shumë se sa bëri në 4 vjet administrata e mëparshme.

“Sigurisht, kur je zgjuar bën më shumë punë se sa kur je në gjumë, ndaj besoj se ne të Bashkisë së Tiranës mund t’i shohim qytetarët në sy dhe mund t’u themi saktësisht se çfarë kemi bërë, duke të presim ballëhapur notën që do na japin ata. Unë besoj se deri tani na kanë dhënë notën 10 dhe parimi është të vijojmë në këtë drejtim”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se Bashkia e Tiranës nuk ka bërë asnjë dallim në investimet e saj, pavarësisht bindjeve politike që dominojnë në një zonë të caktuar. “Bashkia, gjithë grupi ynë, punon njësoj, pa i ndarë investimet në të PS dhe PD, njësoj për të gjithë”, tha Veliaj.

Duke u ndalur te investimet madhore që janë bërë në Tiranë në këto dy vjet, ai theksoi projektin më të rëndësishëm, atë për transformimin e sheshit “Skënderbej”. “Mezi pres që siç u hap Parku Olimpik, këndi i lojërave, Unaza e Vogël, Pazari i Ri, të kemi një festë fantastike nesër në orën 19.30, për hapjen e sheshit “Skënderbej”. Jam shumë entuziast sepse sheshi ka dalë fantastik, është tjetër eksperiencë kur e viziton herët në mëngjes, tjetër eksperiencë gjatë ditës, kur të gjithë shatërvanët freskues e mbushin me freski, tjetër eksperiencë në darkë me ndriçimin, tjetër eksperiencë mesi i sheshit, tjetër eksperiencë pjesa e pyllit, ku e gjithë zona rreth Muzeut Kombëtar, Hotel Tiranës dhe Operës është mbjellë me një pafundësi pemësh”, deklaroi Veliaj.

Sa i përket gjelbërimit të sheshit, ai theksoi se mbizotëron në raport me sipërfaqen e ngurtë, duke krijuar një mundësi qetësie dhe hije. “Thonë nuk ka gjelbërim, kurse vetë shkojnë jashtë në sheshin San Marko në Venecia ku nuk ka asnjë pemë, ose i shkruajnë kritikat nga sheshi Shën Pjetri në Romë. Ne kemi sot një shesh që ka 28 mijë metra katror pllakë për metaforën e 28 mijë kilometra katrorë Shqipëri dhe 32 mijë metra katrorë gjelbërim. Por, në fakt, gjëja për të cilët po flitet pak është se kemi fituar një mushkëri të hapur, pa makina, m’u në zemër të Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Veliaj ka bërë të ditur se Plani i Përgjithshëm Vendor i miratuar pak muaj më parë i ka dhënë gjithë zonës poshtë Digës së Liqenit një status të veçantë, ku nuk do të lejohen ndërtimet, por do të shërbejë si një hapësirë sportive. “Një nga gjërat më të mira që bëri PPV është që të gjithë hapësirën poshtë Digës e shpalli park, do të thotë jo më pallate, por një hapësirë për Parkun Olimpik. Kur unë luftoja kundër pallateve te diga, gjithologët që japin mend për gjithçka bënin sikur nuk e kishin mendjen, qytetarët e merakosur për parkun, nën petkun e partive, bënin sikur s’e kishin mendjen. Sot krejt papritur janë duke parë qimen tek syri i atyre që bëjnë punë”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se Parku Olimpik do të vazhdojë të pasurohet me objekte dhe fusha të tjera që do t’i shërbejnë sporteve të tjera, si noti, atletika, futbolli etj. “Shumë shpejt do të hapim godinën e dytë të parkut, ia kemi dedikuar Mirjan Hakanit për kontributin e tij në sport dhe për të dhënë mesazhin që ka një forcë politike që nuk i ndan njerëzit në të majtë e në të djathtë, i respekton ata për gjithë kontributin e tyre. Do të vazhdojmë me pjesën e pishinave, kemi shumë të rinj të talentuar në not që nuk kanë pasur mundësi të bëjnë kompeticione, nuk kanë pasur infrastrukturë dhe siç po ia ofrojmë basketbollit, volejbollit, hand-bollit, peshëngritjes, mundjes etj, ashtu do t’ia ofrojmë notarëve. Pastaj do të vazhdojmë me fushat e tenisit dhe fushat e futbollit, për t’u siguruar që i gjithë Parku Olimpik konturohet”, shtoi Veliaj.

Si pjesë e investimeve që do të prekin Njësinë 5 ai përmendi edhe projektin e Kopshtit Zoologjik, i cili do të ketë një lidhje me Kopshtin Botanik, i cili gjithashtu do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. “Me planin e ri urbanistik do ta shtojmë kopshtin zoologjik ekzistues, ende më në jug, në drejtim të kodrës, të gjithë atë e kemi shpallur zonë të mbrojtur, që e dyfishon parkun aktual. Do të kemi një lidhje me tunel me kopshtin botanik, që është gjithashtu në Njësinë 5, i cili është sot totalisht i papërdorshëm për komunitetin. Faza e parë është dyfishimi i kopshtit ekzistues. Faza e dytë lidhja me kopshtin botanik dhe faza e tretë është rehabilitimi i gjithë kopshtit botanik”, tha Veliaj.

Duke u ndalur te investimet që do të prekin këtë njësi për dy vitet e ardhshme, Veliaj përmendi projektin për korsinë e biçikletave në parkun e Liqenit, ndërtimin e disa rrugëve kryesore, rikonstruksionin dhe pajisjen me sistem ngrohje të disa shkollave të zonës, si dhe ndërtimi i rrethrrotullimit te rruga “Medar Shtylla”. Që të gjitha këto projekte dhe investime të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme, kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se është e nevojshme mbështetja e qeverisë.

“Një kryetar bashkie mund të jetë shumë punëtor, shumë i zellshëm, shumë pasionant, por këto nuk kanë rëndësi po nuk pati një qeveri që e ndihmon. Në këto votime, zgjedhja është shumë e thjeshtë, nëse duam gjumë, nëse duam që t’i prishim këndin e lodrave me kaubojsa, nëse duam që ta kthejmë në gërmadhë, nëse duam që çfarë u investua të kthehet pas, e kemi kollaj”, theksoi Veliaj.

Deputeti i PS, Pandeli Majko duke iu referuar projektit të sheshit “Skëndërbej” theksoi se ai do shndërrohet në sheshin simbol të shqiptarëve. “Po e filloj me projektin simbol, që ka hapur debate këto kohët e fundit, përgjithësisht raporti me të bukurën hap debat, siç është raporti me debatin për bulevardin e ri. Po sjell një paralele që më është fiksuar lidhur me debatin që është hapur në Francë kur u bë Kulla Eiffel; çfarë nuk e mallkuan kur u bë, ç’është kjo karabina, ç’është ky hekur, shëmtia e Parisit, do turpërojë Parisin. Në fakt ajo sot është simbol i Parisit. E njëjta gjë kam përshtypjen është ky inaugurim, një inaugurim shumë i vonuar, në një shesh që duhej të ishte bërë prej shumë kohësh dhe që në historinë e tij të shkruajtur keq, me kioska, me prishje, me mitingje, me rrahje të opozitës nga policë, me arrestime, me probleme, aty është shkruajtur historia e Shqipërisë, edhe historia politike. Ky inaugurim që do të behet nesër duket sikur mbyll një kapitull për të hapur një tjerë”, tha Majko.

Article Logic
Execution time: 0.0036470890045166