INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: Shpëtuam 200 jetë, nga java tjetër parkim me sms në Tiranë

Veliaj: Shpëtuam 200 jetë, nga java tjetër parkim me sms në Tiranë

Publikuar më: 19:37 30-01-2017

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në analizën vjetore të Policisë Bashkiake. Ai vlerësoi se në vetëm 1 vit e gjysmë Policia Bashkiake ka pësuar transformimin më të madh të saj, duke u bërë një institucion më i besueshëm për qytetarët dhe kjo falë reformimit dhe ruajtjes së integritetit të punonjësit të policisë.

“Kjo organizatë është transformuar në 42% të saj, do të thotë që nuk kemi hezituar asnjëherë kur punonjësi i uniformës së Bashkisë së Tiranës, e ka poshtëruar uniformën duke kryer një gjest të pahijshëm. Unë do të doja që të vazhdonim me integritetin që kemi treguar, ama nuk do të hezitojmë aspak që midis një qytetari që ka të drejtë dhe një punonjësi të Policisë Bashkiake që ka bërë gabim, sigurisht që do zgjedhim qytetarin”, tha Veliaj. Ai evidentoi se Policia Bashkiake ka pësuar një transformim edhe sa i përket modernizimit, si në mjete, ashtu edhe në marrjen e ankesave nga qytetarët.

Por, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka bërë të ditur se ajo që është arritur deri më tani nuk mjafton për të qenë një institucion në lartësinë e nevojave që kanë qytetarët. Ndaj, ai theksoi se transformimi i Policisë Bashkiake do të vazhdojë edhe më tej. “Nga java tjetër do të pilotojmë sistemin e pagesës së parkingut, jo më me biletë, por thjesht nëpërmjet celularit, duke vazhduar modernizimin në qytetin tonë sa i përket menaxhimit të hapësirës publike dhe konkretisht parkimit. Kjo do të thotë që edhe verifikimi nga Policia Bashkiake i mënyrës se si është realizuar parkimi do të ndodhë vetëm me pajisje elektronike. Si pasojë, çdo gjë do të lërë gjurmë në sistem dhe unë besoj se do të jetë një nga lehtësitë kryesore për të gjithë qytetarët që kanë interes të parkojnë dhe që po shijojnë frytet e para të politikës së parkimit”, tha Veliaj.

Ai shtoi se rritja e numrit të femrave në radhët e Policisë Bashkiake ka ndikuar në përmirësimin e imazhit të saj dhe në reduktimin e fenomeneve negative. “Sot kemi 11 herë më shumë gra në Policinë Bashkiake, e cila më parë ishte një ‘bandë’ burrash që i ndanin pazaret me njëri-tjetrin dhe që masakronin këtë qytet. Sot, vetëm prania e 11 herë më shumë zonjave në Policinë Bashkiake është një shenjë e mirë që duhet të vazhdojë”, tha ai. Veliaj deklaroi se Policia Bashkiake ka kontribuar edhe në respektimin e normave të qarkullimit, duke ndikuar në uljen e trafikut të makinave në kryeqytet apo në mbajtjen hapur të korsive të emergjencave të dedikuara për zjarrfikëset, autobusëve apo të ambulancat.

“Sot ka një terminal të përkohshëm të transportit publik tek ish Dogana në perëndim dhe një tjetër në juglindje, te “Qyteti Studenti”. Koha kur furgonët mbusheshin në çdo cep rruge dhe njerëzit futeshin si bagëti ka përfunduar ose në 99% të rasteve është zhdukur. Ka ende punë për të bërë, por njerëzit po mësojnë që në korsinë e emergjencave të autobusit, ku po investojmë me korsi të veçanta, nuk kalohet më me makinë. Më vjen mirë që kemi marrë masa 20 herë më shumë, rreth 59 mijë raste”, tha Veliaj.

Veliaj vlerësoi rolin që luajti Policia Bashkiake në përballimin e situatës së emergjencave që u shkaktuan nga moti i ftohtë që përfshiu edhe Tiranën në këtë fillim viti. “Në emergjencat civile të fillim vitit pamë realisht zemrën e Policisë Bashkiake. Kjo s’është detyrë tipike e saj, por duke qenë se rasti ishte atipik dhe emergjenca ishte e një lloji që Tirana s’kishte parë që nga viti ’85, secili prej nesh doli përtej detyrës, punoi me orë të stërgjata në kushte jashtëzakonisht të vështira. Dua t’ju falenderoj sepse shpëtuam 200 jetë njerëzish falë Policisë Bashkiake”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj theksoi se një nga treguesit se Policia Bashkiake ka rritur besimin te qytetarët është edhe fakti se janë 10 fishuar ankesat e qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmën e saj. “Fakti që kaluam nga 1300 në 12000 raste, nuk është se në Tiranë u bë nami, përkundrazi njerëzit kanë 10 herë më shumë besim te Policia Bashkiake. Ky rikthim i besimit kërkon që edhe ne të jemi gjithashtu në lartësinë e këtij besimi”, përfundoi kryebashkiaku Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0039951801300049