INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Veliaj: Teatri i ri ka potencialin të përsërisë të njëjtën vatër ekonomike si stadiumi

Veliaj: Teatri i ri ka potencialin të përsërisë të njëjtën vatër ekonomike si stadiumi

Publikuar më: 10:52 04-09-2018

Paralelisht me ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare”, në sheshin “Italia” po merr jetë edhe nisma e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e parkingut nëntokësor publik, me kapacitet 200 vendësh.

Punimet u ndoqën nga afër nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e cilësoi si një nga kantieret më të bukura të Tiranës. “Është kënaqësi e veçantë që rikthehem në një nga kantieret më të bukura të Tiranës së sotme, por edhe Tiranës së nesërme, jam i sigurt. Është kantieri i stadiumit “Arena Kombëtare”, ku Bashkia i është bashkuar grupit për të bërë parkingun më të ri në qytet, parkingu i sheshit “Italia”, i cili është parkingu i katërt nëntokësor në tre vjet, duke filluar me parkingun e sheshit “Skënderbej”, parkingun e Bulevardit të ri, parkingun tek “7 Xhuxhat” dhe parkingu i stadiumit”, tha Veliaj.

Parkimi në Sheshin “Italia” përkrah stadiumit “Arena Kombëtare” do t’i vijë në ndihmë edhe aktiviteteve të ndryshme që do të zhvillohen në këtë zonë. Veliaj theksoi se stadiumi i ri dhe ambientet ndihmëse rreth tij do t’u shërbejnë gjatë gjithë ditëve të javës qytetarëve të Tiranës.

“Është një parking me rreth 200 vende, i cili sot do t’i shërbejë kryesisht funksioneve rreth stadiumit, i cili për herë të parë nuk do të jetë një stadium që do të përdoret një herë në 7 ditë, por do të përdoret 7 ditë të javës, 24 orë. Do të jetë edhe qendër argëtimi, edhe qendër komerciale, edhe qendër kulinare, edhe një hapësirë publike dhe i gjithë sheshi pas përfundimit të parkimit kthehet në një shesh pedonal. Pra, fitojmë një zonë tjetër pedonale, mbas sheshit Skënderbej dhe pas Pazarit të Ri, për t’i dhënë Tiranës sa më shumë hapësira, ku njerëzit të vënë makinat nën tokë dhe të dalin me familjet e tyre mbi tokë, për të shijuar qytetin”, tha Veliaj.

Hyrja do të jetë e gjitha nën tokë, ndërkohë që bashkë me vendet e parkimit të stadiumit, numri total shkon në 500 vende të lira. “Do të fitojmë vende shumë të çmuara të parkingut, që bashkë me parkingun e stadiumit do të shkojmë në 500 vende, pra deri në 500 familje mund të vijnë me makinat e tyre dhe të shijojnë qytetin në ajër të pastër, në një hapësirë pedonale, ku ka shumë institucione dhe ka shumë hapësira për argëtim dhe kaluar kohën e lirë”, shtoi ai.

Veliaj siguroi se në fund të mandatit të parë, Tirana do të ketë jo vetëm katër parkingje të mëdha nëntokësore, por një qytet shumë më të jetueshëm e ku ekonomia gëlon. Teksa komentoi projektin e jashtëzakonshëm të “Arena Kombëtare”, kryebashkiaku theksoi se kryeqytetit do t’i shtohet edhe një tjetër markë e njohur me 5 yje në fushën e hotelerisë, që jo vetëm do të sjellë më shumë të ardhura, por njëkohësisht do të gjenerojë edhe vende të reja pune.

“Ky është një projekt jo vetëm i jashtëzakonshëm për qytetin, por edhe që ilustron fabulën tonë. Kulla lart është tashmë në negociata me një nga hotelet më të mira në botë, me 5 yje. Pra, qyteti jo vetëm mori taksa nga kulla, nga stadiumi, por është ekuivalentja e tre shkollave të reja, për më tepër qindra njerëz do të punësohen në hotelin e ri. Duhet të kuptojmë që sulmi mbi sipërmarrjen është një sulm pa sens, se vetëm ky zinxhir, pra nga taksat që paguhen me të cilat bëhen shkolla, rrugë, kopshte, çerdhe apo edhe gjithë ekonomia që zhvillon qytetin, me një investim që po i afrohet si privati, si publiku, afër 100 milion eurove deri në fund të saj. Unë besoj që qyteti ka vetëm fitim”, nënvizoi Veliaj.

Ai hoqi edhe një paralele mes ndërtimit të stadiumit dhe projektit të teatrit të ri. Duke iu përgjigjur skeptikëve, Kryetari i Bashkisë shprehu bindjen se teatri i ri ka potencialin që të përsërisë të njëjtën vatër ekonomike si stadiumi i ri. “Kushdo që është skeptik ndaj të resë ose që është cinik ndaj teatrit të ri, teatri i ri ka potencialin që të përsërisë të njëjtën vatër ekonomike, si stadiumi i ri që sot po del në dritë, një projekt i suksesshëm që vetëm nuk ia dilnim dot. Besoj, kush është skeptik mjafton të shohë mrekullinë që po ndodh këtu dhe çfarë ekonomie po i sjell Tiranës, për të kuptuar se çfarë potenciali kemi në një zonë tjetër”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.003835916519165