INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vëmendje! 10 sjelljet që duhen evituar në dashuri

Vëmendje! 10 sjelljet që duhen evituar në dashuri

Publikuar më: 14:28 09-02-2020

Edhe pse ekziston një ide fikse, ne e dimë shumë mirë se meshkujt nuk janë qenie të pandjeshme karshi partnereve të tyre. Me kohën kemi mësuar të deshifrojmë mënyrat se si e shprehin dashurinë e tyre, ndjenjat. Kemi mësuar të bashkëjetojmë, të zbusim ndryshimet dhe t’i konvertojmë ato në një vlerë për çiftin. Pavarësisht se sjellja reciproke për t’u mirëkuptuar me njëri-tjetrin është një punë e vazhdueshme, ka ende një pikë ku kemi mbetur pas – me sa duket – kemi nënvlerësuar ndjeshmërinë e meshkujve.

Sipas një studimi të Universitetit Purdue, kur meshkujt ndihen se po trajtohen keq apo në mënyrë të padrejtë, kanë tendencën të vuajnë aq shumë sa ndiejnë nevojën për të gjetur rehati dhe për të shfryrë frustrimin e tyre duke u “mbytur” me ushqime ose u zhytur në divan, përballë televizorit. Kjo tendencë është më e fortë se sa te femrat, mbi të gjitha nëse zgjat për një periudhë të gjatë. Ndaj dhe meshkujt vuajnë të paktën po aq sa femrat – ndoshta në heshtje – për disa sjellje.


Duke qenë se marrëdhënia është gjithmonë në dy, përgjegjësitë (jo fajet!) janë të ndara dhe veprimet/reagimet e partnerit “ndotin” dhe tjetrin, krijojnë dinamika, rreth virtuoz apo vicioz ku lumturia i shtohet lumturisë dhe e kundërta. Më e keqja është se shpesh nuk e kuptojmë kur mund të shndërrohemi në të dëmshëm dhe stresues në disa sjellje tonat. Ndërsa në një studim të botuar në “Psychological Science”, njerëzit që e kanë një partner, që reagon mirë ndaj debateve, kanë marrëdhënie të kënaqshme, ndërsa ata që kanë tendencën të ndezin sherre e debate, që mbajnë inat për kohë të gjatë, nuk ndihen më të lumtur në marrëdhënien e tyre. Më poshtë kemi përzgjedhur disa këshilla për “t’u grindur në mënyrë inteligjente”…

Mos kërkoni llogari!


Meshkujt nuk i durojnë ultimatumet, sepse u duken si kërcënim. Në veçanti, studiuesit kanë nxjerrë në pah se, kur meshkujt perceptojnë sjellje armiqësore, kritike apo vendosen me shpatulla pas murit, përjetojnë stres më të madh. Efekti i fjalëve që shkakton imponimi, e bën të ndihet i pafuqishëm, i pazotë dhe akoma më shumë të inatosur. Kjo gjë, sigurisht që nuk ndihmon aspak në zgjidhjen e problemeve.

Mos e largoni!

Po i njëjti studim ka treguar se indiferenca dhe ftohtësia shpesh kanë si efekt inatosjen e partnerit, sepse ndihet i injoruar, i lënë pas dore, i zhvlerësuar dhe percepton vullnet të pakët për t’u munduar t’i gjejë një zgjidhje problemit.

Mos e bezdisni kur është i lodhur!

Nuk ka gjë më stresuese se sa të jetosh me një njeri që ushtron presion apo që të mërzit me fjalë. Sipas një studimi të Universitetit Wake Forest, kur kthehet nga puna, nëse përballet me mijëra çështje, ai do të ndihet shumë pak i rëndësishëm, sepse do të mendojë që partneres nuk i intereson që ka nevojë të çlodhet qoftë edhe pak çaste.

Mos u shtirni!

Meshkujt nuk e pëlqejnë përdorimin e strategjive makiavelike, sidomos në dashuri. Edhe pse në fillim të lidhjes mund të jetë një lojë eksituese, ato shndërrohen gjithashtu në të bezdisshme kur marrëdhënia konsolidohet. Gjithashtu, nëse partnerja shtiret sikur ka dëshirë të bëjë diçka apo të fshehë një mendim se i vjen për shtat, do të përballet me bezdinë dhe mërzinë e partnerit. Në rast se ai krijon bindjen se partnerja shtiret, do të ndihet i tallur dhe besimi që ka për të do të fillojë të lëkundet.

Për të qenë të barabartë ka gjithashtu sjellje të meshkujve që lëkundin vetëbesimin dhe dashurinë e femrave. Për shembull, sipas një sondazhi të fundit të bërë nga Gleeden.com, pjesa më e madhe e femrave tradhtojnë “për faj të meshkujve, që i lënë pas dore dhe nuk i bëjnë të ndihen as të dëshiruara, as të dashuruara…” Mes sjelljeve “stresuese” janë…

Kur ai thotë: ‘Po shoh ndeshjen’ në momentin që duhet të diskutojnë për diçka të rëndësishme. Kjo sjellje i bën të ndihen të injoruara dhe vetëm.


Kur partneri është shkatarraq, lë rrëmujë çorapet apo objekte të ndryshme, duke marrë të mirëqenë faktin se rrëmuja rregullohet vetë. Kjo gjë i bën të ndihen partneret e tyre më shumë si Hirushja.

Kur partneri nuk bën më komplimente, dhurata surprizë, nuk programon më pushimet me të. Kjo gjë i bën femrat të ndihen të padashuruara.

Kur bëjnë krahasime me mamanë e tyre për gatimin, apo më në përgjithësi me çfarëdolloj femre tjetër, sidomos më të re në moshë. Këto krahasime nuk duhet të ekzistojnë dhe pikë!

Kur ai thotë: ‘Je shumë e mirë’ pa e ngritur fare shikimin apo thotë: “Njësoj je”. Kjo gjë i bën të ndihen sikur janë transparente dhe të perceptojnë se partneri është indiferent.


Si përfundim, përgjegjësia se si duhet të jetë një marrëdhënie dashurie u takon të dy partnerëve. Për të ndërtuar një lidhje të lumtur – apo të paktën të tentoni – nuk është diçka që ndodh sa hap e mbyll sytë – ashtu si dhe dashuria s’është diçka e përhershme, që ndërtohet një herë dhe nuk ka më nevojë – por është një realitet që duhet forcuar ditë pas dite, nëpërmjet gjesteve të vogla të përditshme, duke zhvilluar kështu sa më shumë empatinë, duke u kujdesur për tjetrin, duke e dëgjuar edhe kur nuk flet, duke i falur dhe ndonjë gabim. Për ta bërë këtë nevojitet një dëshirë e paoksidueshme për lumturi, vendosmëri e madhe dhe të jeni të gatshëm edhe të stërmundoheni kur është nevoja.

Article Logic
Execution time: 0.0017588138580322