Ndonëse ende nuk jemi në prag epidemie gripi, çdo javë në vendin tonë raportohen 16 mijë persona të prekur nga infeksionet respiratore të sipërme. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik thonë se, pragu i epidemisë arrin kur numri i të prekurve të jetë 20 mijë çdo javë, e me gjasë, mesi i shkurtit mund të na sjellë në këto shifra.
“Trendi i infeksioneve respiratore të sipërme paraqet rritje. Jemi duke shkuar drejt pikut të këtyre infeksioneve. Por duhet thënë se nuk ka vend për panik, ndërkohë që këmbëngulim te vaksinimi i popullatës, si mjeti kryesor parandalues”, tha Artan Simaku, ekspert i ISHP-së.
Fatmirësisht në vendin tonë nuk janë shënuar viktima deri më tani për shkak të gripit, ndërkohë që në vendet fqinje me ne, si Greqia, Mali i Zi apo Serbia kanë humbur jetën respektivisht 18 persona, 5 persona dhe 3 persona.