Gjykata Supreme e Venezuelës vendosi se gjendja e emergjencës e shpallur nga presidenti Nicolas Maduro është kushtetuese.
Dekreti i jep Maduros fuqi shtesë për t’u përballur me krizën ekonomike të Venezuelës, përfshirë të drejtën për të vendosur masa më të rrepta sigurie.
Parlamenti i kontrolluar nga opozita e refuzoi këtë masë të martën, por gjykata supreme, e cila rrallë vendos kundër qeverisë, tha se dekreti ishte i pranueshëm. Gjykata tha se gjendja e emergjencës është e justifikueshme për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme sociale, ekonomike, politike, natyrore dhe ekologjike që po prekin rëndë ekonominë e vendit.
Të premten e shkuar, Maduor shpalli gjendjen e emergjencës për 60 ditë, duke akuzuar elitën e biznesit se ka bojkotuar ekonominë dhe shtetet e bashkuara se po planifikojnë një grusht shtetit ndaj qeverisë së tij socialiste.
Mes masave të marra, tashmë ushtria dhe komitetet lokale kanë të drejtën që të shpërndajnë dhe shesin ushqim. Autoritetet tashmë mund të detyrojnë privatët që të shkurtojnë javën e punës, siç kanë bërë me sektorin publik, për të kursyer elektricitet.
Masat e reja lejojnë qeverinë që të marrë kontrollin e shërbimeve apo mallrave bazë, gjë që analistët thonë se do të krijojë mundësinë e shtetëzimit të kompanive.
Opozita në vend i ka kundërshtuar këto masa dhe po përpiqet të organizojë një referendum për të rrëzuar Maduron nga pushteti.
Por, qeveria ka thënë disa herë se nuk do të ketë asnjë referendum të tillë. Shumë venezuelianë akuzojnë Maduron dhe qeverinë e tij për vështirësitë ekonomike, megjithëse autoritetet flasin për komplote.