INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vetingu: Ekspertët amerikanë do të hetojnë veprimtarinë e prokurorëve

Vetingu: Ekspertët amerikanë do të hetojnë veprimtarinë e prokurorëve

Publikuar më: 09:58 05-02-2017

Javën që vjen, do të zbarkojnë në Tiranë, gjyqtarë dhe prokurorë amerikanë, në kuadër të zbatimit dhe veprimit të ligjit të Vetingut.

 

Referuar Kushtetutës së re dhe ligjit të Vetingut, skuadra amerikane, e përbërë nga njerëz të drejtësisë me mbi 15 vjet eksperiencë, do të ketë një mision të dyfishtë.

Së pari, ekipi amerikan do të asistojë institucionet shqiptare për ngritjen e organeve të Vetingut, duke kaluar në sitë kandidatët, të cilët më pas do të kalojnë në skanerin e trefishtë prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë, për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e papërshtatshme me krimin dhe aftësitë profesionale.

Së dyti, përfaqësuesit amerikanë, jo vetëm do të monitorojnë punën e institucioneve të Vetingut, por do të marrin në dorë dosjet e mbi 790 prokurorëve dhe gjyqtarëve, për të hetuar veprimtarinë e tyre.

Aksesi i pakufizuar
Për realizimin e këtij misioni, hetuesit amerikanë, në bashkëpunim me prokurorë dhe gjyqtarë nga Evropa, do të kenë akses të pakufizuar për të marrë çdo dokument dhe të dhënë të nevojshme nga institucionet vendase dhe të huaja. Hetimet do të fokusohen në ligjshmërinë e pasurisë së deklaruar, në identifikimin e pasurive të fshehura dhe lidhjet me krimin. Në bazë të konstatimeve, vazhduesit ndërkombëtarë, si pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, do t’u propozojnë organeve të Vetingut, konkretisht Komisionit të Vlerësimit dhe Kolegjit të Apelit, largimin ose konfirmimin në detyrë për të çdo gjyqtarë apo prokuror. Po ashtu, prokurorët dhe gjyqtarët huaj, në çdo moment mund të paraqesin prova pranë institucioneve të Vetingut kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë. Institucionet e Vetingut, nëse do të refuzojnë një gjetje apo provë të prokurorëve apo gjyqtarëve të huaj, duhet të marrin një vendim të arsyetuar.

Dosjet e pasurive
Dosjet e pasurive të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, të dorëzuara pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, do të kalojnë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve amerikanë. Pika 3 e nenit 33 të ligjit të Vetingut, e detyron ILDKP që t’u mundësojë akses të plotë prokurorëve dhe gjyqtarëve të huaj, që të që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura7 90 prokurorë dhe gjyqtarë. Vëzhguesit e huaj do të sekuestrojnë për llogari të hetimeve të tyre, të gjithë dokumentacionin ligjor që kanë paraqitur prokurorët dhe gjyqtarët, për justifikimin e pasurive të deklaruara. Dosjet do të kalojnë menjëherë pas ngritjes së institucioneve të Vetingut. Aktualisht, hetimi i vërtetësisë së deklaratave të pasurisë ka nisur nga ILDKP.

Kompetencat e tjera
Neni 45 i ligjit të Vetingut u jep të drejtës vëzhguesve ndërkombëtarë që të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike. Për llogari të procesit të Vetingut, gjyqtarët dhe prokurorët amerikanë (vëzhgues ndërkombëtarë), do të kenë akses në regjistrin e pasurive të paluajtshme, në regjistrin noterial shqiptar, në llogaritë bankare, në të dhënat tatimore, në të dhënat për hyrje-daljet në kufi, në të dhënat mbi kreditë, të ardhurat, mbi sende të luajtshme ose të paluajtshme dhe në çdo dokument tjetër që i shërben kontrollit. Ata do të kenë akses mbi ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbi vendimet për masat disiplinore ndaj tyre si dhe në kodet hyrëse të institucionit për aksesimin e plotë të informacionit të nevojshëm. Vëzhguesit mund të marrin dokumente dhe të dhëna, sidomos për pasuritë e fshehura, edhe nga shtetet e huaja.

Prokurorët dhe gjyqtarët që dhanë dorëheqjen
Mirela Fana, Gjykata e Lartë
Vladimir Kristo, Gjykata Kushtetuese
Ilir Çeliku, Gjykata e Apelit të Vlorës
Ilir Pashai, Gjykata e Elbasanit
Shyqyri Çobon, Gjykata e Beratit
Ibrahim Hoxha, Gjykata e Tiranës
Drita Velaj, Gjykata e Kukësit
Sulejman Tola, Prokuror në Krujë

Të gjitha dokumentet që do të sekuestrohen nga hetuesit amerikanë

Deklaratat e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Akses regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe regjistri noterial shqiptar.

Akses në llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet, të dhënat për hyrje-daljet në kufi.

Të dhënat mbi kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit, si dhe çdo interes, dividend, e ardhur ose vlerë tjetër që buron prej tyre.

Të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi, veprimtari tregtare ose veprimtari të tjera profesionale.

Të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike ose mjeteve ose instrumenteve të tjera të tregut të parasë.

Certifikatat e depozitave, kartat e debitit ose të kreditit, kartat elektronike të pagesave, titujt, si dhe çdo dokument tjetër.

Të dhënat që provojnë ekzistencën e trusteve ose marrëveshjeve të tjera të ngjashme.

Raportet e vlerësimit të aftësive profesionale gjatë kohës që ka punuar gjyqtari dhe prokurori.

Deklarata nga subjekti i rivlerësimit, nga dëshmitarët, ekspertët dhe publiku.

Dokumente të tjera shkresore, të marra nëpërmjet mjeteve fotografike, të regjistrimit ose mjeteve të tjera teknike.

Të këqyrë dhe të kontrollojë sende të luajtshme ose të paluajtshme.

Dosjet e zgjedhura për vlerësim, vetëvlerësimet, mendimet e eprorëve dhe të dhënat mbi trajnimet.

Të dhëna mbi ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve si mbi vendimet për masat disiplinore ndaj tyre.

Kodet hyrëse të institucionit për aksesimin e plotë të informacionit të nevojshëm për verifikim.

Faktet e njohura botërisht si dhe faktet e prezumuara nga ligji.

Dokumentet dhe të dhënat e marra nga burimet e shteteve të tjera.

Akses të plotë në të gjitha të dhënat, pranë Prokurorisë së Posaçme.

Dokumente për gjendjen gjyqësore të subjekteve të rivlerësimit.

Dosjet personale të subjekteve të rivlerësimit, të dhënat statistikore, dokumentet ligjore.

Article Logic
Execution time: 0.0039019584655762