INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vettingu zbraz edhe Gjykatën e Lartë.  KPK shkarkon gjyqtarin Shkëlzen Selimi

Vettingu zbraz edhe Gjykatën e Lartë. KPK shkarkon gjyqtarin Shkëlzen Selimi

Publikuar më: 09:06 30-07-2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) vendosi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi. Gjyqtari Selimi bëri një kërkesë paraprake para KPK-së, ku tha se seanca dëgjimore në ngarkim të tij duhet të pezullohej dhe të hetohej nxjerrja e informacionit konfidencial. Sipas gjyqtarit, materiale sensitive për publikun dhe të mbrojtura me ligj, kanë dalë në media. Gjyqtari kërkoi nisjen e procedurës hetimore. KPK pezulloi seancën dhe trupa gjykuese vendosi të mos pranonte kërkesën e Selimit. Pas njohjes me vendimin, gjyqtari Shkëlzen Selimi tha se seanca është e paragjykuar, dhe u largua nga salla.

Në relacionin e përgatitur nga KPK thuhet se hetimi administrativ ishte përqendruar te kriteri i pastërtisë së figurës së Selimit. KPK referon në raportin e saj Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka cilësuar gjyqtarin Selimi si të ‘papërshtatshëm’ për shak të një seri kontaktesh jo rastësore me përfaqësues të krimit të organizuar dhe dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv në më shumë se një rast, duke e cilësuar gjyqtarin si “një person me tendenca për përfshirje në veprimtari kriminale’ ose ‘që mund te vihet nën presion nga krimi i organizuar.” Më pas thuhet se KPK ka ndërmarrë një hetim të pavarur administrativ për të verifikuar të dhënat. Ka rezultuar se gjyqtari Selimi ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit në Itali dhe Gjermani me një shtetas, i cili ka precedentë kriminalë si dhe është zbuluar se ai ka ndikuar në mënyrë të paligjshme për mosekstradimin në vitin 2015 drejtë Italisë të shtetasit A. I, i cili është dënuar në vendin fqinj për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Shkëlzen Selimi është një nga gjyqtarët që ka gjykuar shumë çështje delikate si rasti i Arben Frrokut, Ilir Xhakës, Indrit Dokle, Dritan Dajtit përfshi atë të Aldo Bare, duke dhënë në disa raste burgime të përjetshme për njerëz që ndaj tij mund të hakmerreshin nëse humb "imunitetin" që mban me rolin e gjyqtarit. Me vendimin për Shkëlzen Selimin shkon në katër numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që nuk e kanë kaluar Vettingun. Admir Thanza, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca janë shkarkuar nga KPK. Kanë kaluar provën e Vetting-ut gjyqtarët e lartë Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj dhe Ardian Dvorani.

Article Logic
Execution time: 0.0037219524383545