Në një bllok pallatesh në zonën e ish Komunës së Parisit ku jetojnë 100 familje prej afro 20 vitesh nuk ishte vënë fare dorë dhe deri 3 muaj më parë ai ishte thuajse i amortizuar. Po sot duket qartë se gjithçka ka ndryshuar në sistemin e ngrohjes apo në tarracat. Dhe kjo falë Fondit të Komuniteteve.
Po si ja dolën këta banorë?
Ata fillimisht gjeten dakordësinë për të grumbulluar gjysmën e parave që duheshin për ndërhyrje dhe më tej bashkë me projektin administratori i tyre ka shkuar në Bashkinë e Tiranës. Ky bllok pallatesh ka përfituar gjysmën e investimit për disa projekte nga restaurimi i fasadave, termoizolimi dhe lyerja. Në shifra konkrete 10 milion lekë i paguan vetë banorët dhe po aq Bashkia.
Ky është dhe projekti i parë që ka përfituar nga Fondi i Komuniteteve në Tiranë. Disa banorë të tjerë në kryeqytet kanë përfunduar aplikimet, kanë fituar dhe janë gati të nisin punën, që ambientet, ku jetojnë të bëhen më komode dhe estetike.