Përçahen studentët. Një pjesë e madhe e tyre kanë preferuar që sot të shkojnë në auditore dhe të ndjekin mësimit, ndërsa një grup i pakët në numër kanë vijuar protestën përballë kryeministrisë. IN News ka mësuar se në të gjitha fakultetet janë zhvilluar orë mësimi. Për IN News, studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, pohojnë se kanë marrë pjesë në mësim. Këtë vendim ata e arsyetojnë me faktin se shkollimi për ta është kosto dhe nuk mund ta humbasin një vit.
“Ishim në klasë, gjysma ishte, gjysma nuk ishte”, shprehet një student. “Çdo ditë sa mund të zgjasë protesta është kosto jetese për ne që vijmë nga zonat e largëta. Mendoj të zhvillohet edhe protestë por mësimi mos të bojkotohet”, thotë një tjetër student.
Por çfarë mendojnë studentët që dolën sërish sot në shesh, për thyerjen e bojkotit nga ana e një grupi bashkëmoshatarësh të tyre dhe a do e vazhdojnë ata protestën? “Ia vlen që të humbet një vit shkollor për të krijuar një të ardhme më të mirë. Nëse sot nuk vendoset që të kemi një të ardhme më të mirë por thjeshtë duan një vit shkollor ato janë thjeshtë turpi i Shqipërisë”, shprehet një student protestues.
Studentët kanë bërë dhe një lëvizje tjetër. Nga Kryeministra ata marshuan sot tek Ambasada Amerikane, për të kërkuar sensibilzim e mbështetje për kauzën e tyre.