Ministra e Arsimit për kopshtin privat në Sauk ku u ushtrua dhunën nga administratorja Anjeza Shabani ka raportuar se nuk është një institucion arsimor i liçensuar, pra është fantazëm.
Po atë që ministria se kishte të qartë e ka bërë publike deputetja demokrate, Majlinda Bregu, duke publikuar shifrat e panjohura edhe për qytetarët. Ajo tregon se sa kopshte janë pa leje në Tiranë. Sipas Bregut në total janë 77 kopshte pa leje. Madje dhe ministria që nuk dha informacion për mediat e ka të publikuar atë në faqen e institucionit të varësisë, në atë të Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit. E në fakt vërehet se asnjë nga kopshte nuk përmbushte asnjë kriter për të qënë i tillë.
Ja ç’thuhet në njoftim:
Inspektimi tematik i institucioneve parashkollore private me qëllim vlerësimin e zbatimit të kritereve të ligjshmërisë në përputhje me aktet ligjore.
Gjatë periudhës 16-21.03.2015 ISHA inspektoi dhe monitoroi 96 institucioneve arsimore parashkollore private, në 11–të njësitë bashkiake të qytetit Tiranë, në lidhje me vlerësimin e zbatimit të kritereve të ligjshmërisë në veprimtarinë e tyre në përputhje me aktet ligjore.
Nga inspektimet e zhvilluara, rezultoi se:
- 77 KOPSHTE ofrojnë shërbimin arsimor të edukimit parashkollor PA LEJE të funksionimit në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë.
- Vetëm 20% (19) e kopshteve të inspektuara janë të liçencuara.
- 48 kopshte janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
- 27% e kopshteve krahas shërbimit arsimor parashkollor ofrojnë edhe shërbimin e çerdhes.
- Numri i fëmijëve që frekuentojnë këto institucione parashkollore private është 2263, në grupe të përziera.
- Numri i mësuesve pranë këtyre kopshteve është 176 nga të cilët 35% me arsimin e lartë përkatës (20 mësues me diplomë Parashkollori dhe 41 mësues me diplomë Cikli i Ulët), 35% me arsimin e lartë jashtë profilit (63 mësues të degëve të ndryshme) dhe 30% me arsim të mesëm (20 mësues kanë mbaruar shkollën pedagogjike dhe 32 mësues kanë mbaruar gjimnazin).
Vetëm në 17 kopshte u gjetën programet mësimore për grupmoshat 3-4, 4-5, 5-6, standardet e arritjes dhe ato të përmbajtjes për planifikimin e zbatimin e kurrikulës së parashkollorit. Në rastin më të mirë punohet me një program për të gjitha moshat.
- Pjesa më e madhe e kopshteve të monitoruara nuk kanë kushte të përshtatshme që mundëson sigurinë e jetës, shëndetin dhe ushqyerjen e fëmijëve. Ato janë krijuar në mjediset e shtëpive private, në katet e para e të dyta të pallateve. Nuk njihet e zbatohet Rregullorja higjieno- sanitare për “Ndërtimin dhe funksionimin e kopshteve të fëmijëve”.
Grupet e inspektimit i vunë në dispozicion të gjithë administratorëve të institucioneve të arsimit parashkollor privat, në 11-të njësitë bashkiake të qytetit të Tiranës, udhëzimin Nr. 15, datë 12.07.2013 “Për procedurat e posaçme për shqyrtimin e kërkesave për licencë të institucioneve arsimore private dhe institucioneve arsimore plotësuese private”. Drejtuesit e kopshteve firmosën edhe procesverbalin e marrjes në dorëzim të këtij udhëzimi të MAS-it.
Në muajin nëntor grupet e ISHA-s riinspektuan 81 kopshtet e mësipërme me qëllim verifikimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna.
Grupet e ISHA-s, për 21 INSTITUCIONE të arsimit parashkollor privat që u gjetën të palicencuara dhanë dënimin administrativ me gjobë në vlerën “500 000 lekë".
E deputetja Bregu se lë me kaq po shtron dhe disa pyeje.
“Kam 2 pyetje që me lindin sikur vetëm kaq të lexosh nga ky raport:
A- 77 kopshte paskan qënë pa licensë vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë,
21 janë gjobitur!
Po me 56 kopshte të tjera ç' bëhet?!?!?!
B- Në raport flitet për mungesë kushtesh, standartesh, mësues pa diplomën përkatëse, mungesë të shërbimit psiko-social, etj.
A ka njeri të thotë ç 'ndodh me kopshtet e licensuara dhe pa standartet e mësipërme?!
Kaq hë për hë, se për të bërtitur vend e pa vend jemi të parët, por kur duhet të zemë mend e të reagojmë për problemet e vërteta o na vjen ai "orari i gjumit" ose na ikën ai filli mallëngjyes i frymëzimit politik!!!!'', shkruan Bregu.