Vijon ende lufta ndaj informalitetit. Në kuadër të këtij operacioni, i cili po zhvillohet në të gjithë vendin, në Vorë zbulohet depozita me mall të fshehur në sasinë 76 mijë kilogram “kafe e pjekur”.
Detyrimi i munguar i akcizës është rreth 4.6 milionë lekë dhe krahas kësaj shume, subjektit që kishte në pronësi kafen pa akcizë është gjobitur me 13.8 milionë lekë, duke e çuar në total detyrimin që duhet të paguajë subjekti në vlerën e 18.4 milionë euro ose thënë ndryshe 150 mijë euro.
Në këtë inspektim në zonën e Vorës ka qenë e pranishme edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Arlind Gjokuta.
Ndërkohë në lidhje me këtë shkelje ka reaguar edhe kryeministri Rama duke thënë se " Lufta kundër abuzuesve vazhdon pa pushim dhe do të shtrihet në çdo magazinë doganore, për të gjitha produktet e “rënda” të akcizës".
Zbulimi i evazionit fiskal në Vorë ka ardhur në saj të aksionit që po ndërmerret në të gjithë vendin tonë për të goditur informalitetin, duke filluar nga plazhet dhe lirimi i zonave publike e deri tek hotelet e komplekset me të famshme të vendit.