Partizani është i përfshirë fuqishëm në merkaton e verës dhe, përveç emrave që lakohen si përforcime, lëvizje priten edhe në dalje. Në grupin e lojtarëve që mund të transferohen jashtë vendit bën pjesë edhe mesfushori Emiljano Vila, lojtari më i aktivizuar me të kuqtë në sezonin e shkuar, ku luajti 35 ndeshje nga 36 të mundshme. Mesfushori durrsak ka provuar disa aventura jashtë Shqipërisë, si në Kroaci, Greqi dhe Azerbajxhan.
Por tani në skenë ka dalë një destinacion i ri, Irani. “Panorama Sport” ka mësuar se është skuadra iraniane e Sepahanit, ajo që interesohet për shërbimet e mesfushorit të Partizanit, e cila i ka paraqitur edhe ofertën. Për momentin, palët janë në fazën e bisedimeve dhe më konkretisht pritet që të flitet pas përfundimit të aventurës europiane të Partizanit.
Vila ishte protagonisti i videoskandalit me menaxherin Drini Çaushi, që kërkonte tolerime në ndeshjen ndaj Kukësit. Ditë më parë, Vila ka rinovuar me të kuqtë dhe ai nuk mund të largohet drejt Iranit pa miratimin e klubit, i cili nuk dihet se si do të veprojë me lojtarin, do ta lërë të lirë, apo do të kërkojë ndonjë dëmshpërblim për kartonin nga klubi iranian.
Sepahani është e lidhur me futbollin shqiptar, pasi në këtë klub Xhevahir Sukaj u kthye në idhull të tifozëve dhe të drejtuesve. Edhe ish-kapiteni i Tiranës, Ervin Bulku, është aktivizuar në të shkuarën me skuadrën elitare të Iranit. Ditë më parë drejtuesit e Sepahanit kërkuan rikthimin e Xhevahir Sukajt, por sulmuesi shkodran vendosi që të vijonte karrierën me “demat”.
Mbetet për të parë se cili do të jetë vendimi që do të marrë Emiljano Vila. Për momentin ai është i fokusuar me Partizanin në Ligën e Europës. Ashti si në kampionatin e fundit, edhe në Europë 29-vjeçari shikohet si titullar nga stafi teknik. Me Ylber Ramadanin thuajse të larguar nga Partizani, kalimi i Vilës te Sepahani do ta shtonte akoma më shumë boshllëkun në mesfushën e të kuqve, duke ditur që prurjet në këtë sektor gjatë kësaj periudhe merkatoje akoma nuk kanë mbërritur.