INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Viti 2016, ngjarjet kryesore në Shqipëri

Viti 2016, ngjarjet kryesore në Shqipëri

Publikuar më: 13:45 30-12-2016

Si ishte viti 2016? A ishte ai për shqiptarët një vit më i mirë se viti 2015? Çdokush mund të japë përgjigje kësaj pyetje, por më shumë se kjo flasin ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë 12 muajve të këtij viti. Si rrallë ndonjëherë, një çështje e vetme mbizotëroi që nga fillimi deri në fund të vitit: Reforma në Drejtësi kushtëzoi debatin e brendshëm, ndërsa pesha e saj do të jetë përcaktuese për një marrëdhënie të re me Brukselin.

Por ndërsa tema të tjera si dekriminalizimi, përhapja e marijuanës, apo dhe zhvillimet e përplasjet brenda forcave politike do të lënë gjurmët e tyre, një ngjarje që do të mbetet në histori do të jetë shenjtërimi i Nënë Terezës dhe Kombëtarja Shqiptare në EURO 2016.

REFORMA NE DREJTESI

Në fillim të vitit palët kishin në tavolinë opinionin e ndërmjetëm të Komisionit të Venecias. Ekspertët e nivelit të lartë në Komisionin e posaçëm parlamentar ishin angazhuar për të rishikuar ndryshimet. Por opozita e kundërshtoi duke folur për një tekst të njëanshëm dhe hodhi idenë e një zgjidhjeje politike mbi çështjet e debatueshme. Kjo ide u mbështet nga Presidenti Bujar Nishani, por dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili më 5 Janar deklaroi: “Ne jemi në Republikën e Shqipërisë dhe jo në Republikën e ekspertëve”. Pak ditë më pas edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta do të këmbëngulë për të njejtën tezë: “Eshtë koha e çeljes së dialogut politik parlamentar”

Drejt votimit

Në seancën e 30 Qershorit parlamenti përfshiu në rendin e ditës miratimin e reformës me 21 korrik, ndërsa vazhdojnë përplasjet përmes variantesh të ndryshme që hidhen në diskutim
Më 10 Korrik në Tiranë mbërrin ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland. Pas takimeve mes palëve ajo njofton për “një propozim hybrid i cili përmban elementë nga idetë e qeverisë dhe elementë nga idetë e opozitës, i cili është plotësisht në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”
Seanca e votimit do të jetë më 30 gusht. Opozita paraqet një dokument të plotë me vërejtjet e saj duke njoftuar se nuk do e votojë “këtë projektligj i cili ka ardhur pa konsensus, që dhunon kushtetutën dhe standartet më të mira euroatlantike. Ju faleminderit. Ne po largohemi”, tha deputeti Eduard Halimi.
Ligji kalon me 88 vota. Gjatë muajit shtator do të diskutohen dhe 6 ligjet e tjera. Opozita dha konsensusin vetëm për ngritjen e Prokurorisë speciale antikorrupsion, dhe Byrosë kombëtare të Hetimit, ndërsa më 5 Tetor ankimoi në Kushtetuese vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për kryeministrin Edi Rama ky veprim opozitës ishte “në aleancë të hapur me korrupsionin dhe me krimin e mafian që mban peng sistemin e Drejtësisë”. Gjykata Kushtetuese do të vendosë më 25 Tetor, pezullimin e ligjit dhe ju drejtua Komisionit të Venecias për një opinion. Në përgjigjen e cila mbërriti në Dhjetor theksohej se sipas Komisionit “dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo shfaqin probleme për çështjet e ngritura nga Gjykata shqiptare”. Vendimi i Kushtetueses u mor më 22 Dhjetor. Me 6 vota kundër dhe 2 pro, kërkesa e opozitës u rrëzua.

HAPJA E BISEDIMEVE ME BRUKSELIN

Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit europian kishin përsëritur disa herë se miratimi i Reformës në Drejtësi do të ishte shtysa e nevojshme për një rekomandim pozitiv nga ana e Komisionit europian për hapjen e bisedimeve më Shqipërinë Në shtator, duke përfituar nga mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asocimit, kryeministri Edi Rama shkoi vetë në Bruksel për të marrë pjesë në takimin ku ndodhej edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria e kishte kryer pjesën e saj dhe se i takonte tanimë Komisionit të mbante premtimin. Më 9 Nëntor Komisioni vlerëson miratimin e Reformës në Drejtësi dhe përparimet e qëndrueshme për 5 prioritetet kyçe, duke theksuar se mbetet ende punë për të bërë. “Kjo është arsyeja pse rekomandimi ynë është i kushtëzuar me progresin e besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Në këtë kontekst, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë thelbësor për besueshmërinë e procesit, dhe ne këtu duhet të shohim rezultate”, nënvizoi komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn.
Më 13 Dhjetor, vendet anëtare, rikonfirmuan rekomandimin e Komisionit dhe lanë të hapur mundësinë e një raporti të ri, pa pritur paketën e zakonshme të Zgjerimit, nëse vendi do të dëshmojë se ka bërë përparim. “Ka një marrëveshje të qartë. Ne nuk do të kemi nevojë të presim raportin e ardhshëm të komisionit, në pranverë të vitit 2018, por ka një angazhim të Komisionit që të informojë apo të rishqyrtojë ecurinë e Shqipërisë, sa me shpejt apo kur të ketë përparim të prekshëm. Pra unë mendoj se ky është një rezultat i qartë dhe pozitiv dhe se Shqipëria duhet të jetë e kënaqur”, deklaroi ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak, në emër të presidencës së BE-së. Ndërkohë Këshilli, kërkoi që vendi “të garantojë zbatim të qëndrueshëm, të gjithanshëm dhe gjithëpërfshirës të 5 prioriteteve kyçe përpara hapjes së negociatave”

RIKTHIMI I MARIJUANES

Ndërsa u duk se ndërhyrja në Lazarat dy vjet më parë do të mjaftonte si një sinjal i fortë kundër kultivimit të marijuanës, në verën e këtij të viti fenomeni u rikthye me një përhapje të gjerë thuajse në të gjithë vendin

SHENJTERIMI I NENE TEREZES

Por nuk ishte vetëm politika ajo që dominoi përgjatë vitit 2016. Një ngjarje e cila do të mbetet në histori është shenjtërimi i Nënë Terezës, ndërkohë që për Kishën katolike shqiptare do të ketë edhe dy lajme të tjera me peshë: Lumturimi i 38 martirëve të saj dhe emërimi Kardinal I Dom Ernest Troshanit
Ishte ora 10.40 e së dielës së 4 shtatorit kur Papa Francesco lexoi në latinisht formulën e shenjtërimit të Nënë Terezës përpara më shumë se 100 mijë të pranishmëve që kishin mbushur Shehin e Shën Pjetrit në Vatikan.Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi kishte bërë botën të fliste për të dhe veprën e saj, duke u thyer në një simbol të dhembshurisë dhe ndihmës ndaj të braktisurve. E për këtë dhe Papa Francesco u shpreh se “ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta therrasim e Shenjta Terezë. Shenjtëria e saj është kaq e afërt me ne, kaq e dashur e bujare san ë mënyrë spontane do të vazhdojmë ta thërrasim Nënë Tereza”.

Kualifikimi i Shqipërisë në Euro 2016

Shqipëria merr pjesë në Kampionatin Evropian të futbollit që zhvillohet në Francë, arritja më e madhe sportive në historinë e sportit shqiptar. Në grupin e saj Shqipëria mori 3 pikë, me 1 fitore dhe dy humbje.

Article Logic
Execution time: 0.0029780864715576