Vivo Nex S ishte smartphoni që surprizoi botën. I pajisur me një ekran që shfrytëzonte thuajse të gjithë pjesën e trupit të tij, padyshim që vëmendja që tërhoqi ishte e madhe. Kamera e vendosur në brendësi të trupit ishte diçka e papritur dhe surprizuese. Njerëzit dukej se veç falë këtyre dy risive donin ta blinin me doemos këtë model të ofruar nga Vivo, por gjërat nuk po ecin ashtu si duhet kohët e fundit. Kamera e motorizuar e Nex S ka surprizuar tani përdoruesit duke bërë një veprim krejt të papritur. Shumë njerëz, sidomos në Kinë kanë vënë re që kamera aktivizohet papritur në raste kur ajo nuk supozohet të bënte këtë veprim. Kjo gjë përveçse ka shokuar njerëzit, ka bërë dhe që ata të kenë dyshime në lidhje me sigurinë e tyre online, pasi është krijuar përshtypja që dikush po i përgjon ata.