INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vizita e Kerry-t “blindon” kryeqytetin

Vizita e Kerry-t “blindon” kryeqytetin

Publikuar më: 16:01 12-02-2016

Në 14 Shkurt, në Shqipëri do të jetë një vizitor i rëndësishëm. Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry ka zgjedhur këtë datë për të mbërritur në Shqipëri, ku pritet të takohet me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e opozitës Lulzim Basha.

Vizita triorëshe e Sekretarit Amerikan të Shtetit, pritet të shoqërohet me masa të forta sigurie. Që pas uljes së avionit të tij në Aeroportin e Rinasit rreth orës 9 të mëngjesit, ku do të pritet nga kreu i shtetit Bujar Nishani, disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit do të bllokohen deri në përfundimin e vizitës.

Policia e Tiranës mësohet se ka marrë masa shtesë të një niveli maksimal, për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së zyrtarit të lartë amerikan. Duke nisur që nga Qafë-Kashari, në vijim, pjesa e autostradës Tiranë-Durres, segmenti i Laprakës, Rruga e Durrësit dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të bllokohen plotësisht si për mjetet ashtu edhe për këmbësorët.

Po në keto akse nuk do te lejohet parkimi i makinave, ndërsa burime nga policia bëjnë me dije se do të devijohet trafiku edhe për mjetet e transportit publik. Po ashtu të gjitha rrugët do të patrullohen në të dyja krahët nga qindra efektivë të Policisë së Tiranës dhe Gardës së Republikës.

Mësohet se eskorta e sekretarit Kerry pritet të shoqërohet nga Rinasi drejt kryeqytetit nga nje helikopter i ushtrisë, i cili do të monitorojë situatën nga ajri.

Article Logic
Execution time: 0.0035738945007324