Në një vend i prekur nga thatësira, si Kalifornia, kjo shpikje duhet të vlejë shumë. Bëhet fjalë për dushin që ju lejon që të kurseni ujin. Ai quhet “OaSense” dhe është një dush ‘inteligjent’, që ndihmon që të kurseni ujin dhe paratë, falë një sensori që hyn në punë, në momentin kur hiqni kokën e dushit nga mbajtësja dhe uji automatikisht ndalon.
Kjo shpikje është ideuar nga Evan Schneider i pasionuar pas shpikjeve, i diplomuar për inxhinieri mekanike në institutin e Teknologjisë në Masaçuset. Sipas tij, ideja për të realizuar dushin “inteligjent”, nisi në pranverë të vitit 2015, për të ndihmuar familjen e tij, për të kursyer ujë, gjatë thatësirës që kishte përfshirë Kaliforninë, shkruan “Tvklan”.
“Ideja më erdhi kur isha në dush dhe kuptova se sa shumë ujë të dobishëm harxhojmë, gjatë kohës që bëjmë veprime kur nuk na duhet. Kështu e transformova idenë time në një produkt, të cilin jam krenar që ia prezantoj botës”, ka thënë ai.