INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
VKM për bursat dhe tarifat e studentëve, reagon Ministria e Arsimit: Ja kur do të lëvrohet fondi për universitetet

VKM për bursat dhe tarifat e studentëve, reagon Ministria e Arsimit: Ja kur do të lëvrohet fondi për universitetet

Publikuar më: 19:13 08-01-2019

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka reaguar pas njoftimit të bërë këtë të martë nga kreu i qeverisë Edi Rama për VKM për bursat dhe tarifat e studentëve

Në njoftimin e saj MAS sqaron se pas marrjes së informacionit nga të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë do të lëvrohet fondi për universitetet për subvencionimin e tarifave që do të paguajë qeveria për studentët dhe bursat.

Gjithashtu në deklaratën e shpërndarë për mediat ministria thekson se ky institucion po punon intensivisht për të identifikuar numrin e studentëve, të cilët përfitojnë nga vendimet e marra nga qeveria Rama.

“Në përmbushje të angazhimeve të Qeverisë Shqiptare për plotësimin e kërkesave të studentëve, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me prioritet, po angazhohet maksimalisht në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, për sigurimin e një informacioni sa më të plotë për identifikimin e numrit të studentëve, si dhe përcaktimin e programit ku ata ndjekin studimet e tyre, për të gjitha kategoritë e parashikuara në secilin prej vendimeve nr.778, 779, 780, 781, 782 dhe 784, datë 26.12.2018 të Këshillit të Ministrave.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka kërkuar pranë çdo institucioni publik të arsimit të lartë informacion lidhur me numrin total të studentëve që përfitojnë, në rast të plotësimit të kritereve të përmendura në Vendimet e Këshillit të Ministrave të sipërcituar për tarifat dhe bursat.

Strukturat përkatëse pranë universiteteve publike janë angazhuar plotësisht për të mundësuar brenda datës 11.01.2019 gjithë informacionin e nevojshëm.

Pas marrjes së këtij informacioni do të vijohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të lëvrohet fondi i nevojshëm për subvencionimin e IAL-ve publike në përballimin e efektit financiar, në zbatim të vendimeve.

Sekretaritë mësimore pranë universiteteve dhe administratorët do të bëjnë njoftimin e nevojshëm për studentët. Veprimtaria e tyre do të monitorohet për të mos pasur asnjë keqinformim apo veprim në kundërshtim me vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave.”

Article Logic
Execution time: 0.0036249160766602