Tre ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në kryeqytet, ku një 22-vjeçar ka mbetur i vrarë me thikë pranë stadiumit “Dinamo”, pas sherrit për një karikues telefoni, ka folur babai i autorit. Për herë të parë, pas ngjarjes së ndodhur, babai i Eugen Bitrajt, tregon për situatën mes familjeve.
Ai thotë se situata mes familjes së viktimës dhe të dy autorëve, fëmijë të dy vëllezërve binjakë, është mjaft e tensionuar.
“I shpreh ngushëllime familjes së 22-vjeçarit. Jemi në një situatë shumë të vështirë. Askush nuk do të donte që të ishte prindi i asnjërit në këtë situatë, as i djalit që humbi jetën, e as i atyre që sot janë fajtorë. Jemi shumë të tronditur. Kalamajtë bënë një gjë shumë të keqe. Duhet të gjejmë forca të reagojmë pozitivisht.
Ne nuk kemi mundësi të takohemi me familjarët e viktimës. Situata është shumë e nxehtë. Jemi në kërkim të gjejmë një mik të përbashkët që të qetësojmë situatën”, shprehet babai i Eugen Bitrajt, teksa shfaqet në një gjendje të rënduar emocionale.
Ditën e sotme po mbahet seanca në Gjykatën e Tiranës ndaj autorëve të dyshuar për vrasjen e 22-vjeçarit Marvi Mihali.