INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vrasja e pronarit të bujtinës, Nard Polia/Dëshmon miku i tij: Si i shpëtova plumbave

Vrasja e pronarit të bujtinës, Nard Polia/Dëshmon miku i tij: Si i shpëtova plumbave

Publikuar më: 11:07 21-03-2019

Në Shkodër, pasditen e djeshme u ekzekutua biznesmeni i njohur i zonës, Nard Polia.

Ai ishte pronar i një bujtine në Theth, ndërsa ishte po ashtu edhe punonjës i Agjensisë së Zonave të Mbrojtura dhe vazhdimisht promovonte bukuritë e zonës së tij.
Burime policore bëjnë me dije se Nard Polia është vrarë në makinë e tij pa lëvizur nga sedilja e shoferit. Ndërkaq, bashkë me të në automjetin tip 'Fouristradë' ka qenë edhe një shok i tij. Pas ngjarjes policia ka shoqëruar dëshmitarin, Xhovan Mirashi, shkruan Neësbomb.
Gjatë marrjes në pyetje në polici ai është shprehur se sapo kishte dalë me viktimën nga servisi për të provuar fouristradën me idenë për t'u rikthyer përsëri. Vetëm pak minuta pas daljes nga servisi, Mirashi ka treguar se është afruar në drejtim të tyre një person me motor, i cili fillimisht ka prerë rrugë. Më pas është ulur me qetësi duke iu afruar makinës së tyre. Ndërsa në atë moment Xhovani është shprehur në polici se e ka pyetur viktimën nëse e njihte apo jo këtë person, ndërsa ai ka deklaruar se nuk e njihte.
Më pas ai ka treguar se autori kishte nxjerrë armën që mbante nën xhaketë dhe ka qëlluar në drejtim të Nardit me breshëri. Mirashi ka treguar se atë nuk e preku asnjë plumb, ndërsa ka rrëfyer për policinë se i gjendur në atë situatë në atë moment ka ulur kokën dhe ka vendosur duart në kokë.
Pasi autori ka kryer këtë vrasje është larguar me motoçikletën e tij. Sipas dëshmitarit, autori kishte veshur rroba të trasha dhe nuk ka mundur ta identifikojë për shkak të skafandrit që kishte në kokë.
Pas kësaj dëshmie policia dyshon se autori ka qenë një vrasës me pagesë dhe e ka studiuar mirë terrenin, pasi në atë zonë ku ndodhi vrasja është rrugë periferike dhe nuk ka lëvizje njerëzish.
Kujtojmë se Nard Polia ishte një person i njohur, shpesh ai bënte apel edhe në media për zonat turistike, ndërsa e gjithë zona e njihte. Nardi ishte i martuar, ai la pas një vajzë 3 vjeçe dhe gruan shtatzënë.

Article Logic
Execution time: 0.0035419464111328