Ndër dhjetra e qindra reagime në rrjete sociale e jo vetëm, për vrasjen barbare me 2 plumba në kokë të gjyqtares Fildes Hafizi ditën e sotme në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ka reaguar edhe deputetja Mimoza Hafizi.
Si kushërirë e të ndjerës, Mimoza shpreh dhimbjen e madhe për vrasjen e pabesë, ndërsa shkruan se Fildesi ishte vajzë e rrallë që dashuronte jetën, fëmijët e prindërit.
Gjithashtu ajo shkruan se buzëqeshja e Fildesit do të çajë murin e zi të vdekjes për t’u ndritur 2 prindërve të mjerë.
REAGIMI I PLOTË
Fildes Hafizin e vranë sot pabesisht. Ishte vajzë e rrallë. E donte shumë jetën, adhuronte fëmijët e prindërit, admironte profesionin, respektonte dijen, i përkushtohej karierës, përbuzte injorancën, përçmonte apatinë, sfidonte stërmundimin. U diplomua juriste, magjistrate, gjykatëse duke rritur dy fëmijë. E thurri me mund ëndrrën e vet. Që sot ia prenë egërsisht.
Jam shumë larg e s’mund të shkoj t’i hedh një grusht dhé lamtumire. Me dhimbjen për vitet e pajetuara, me brengën e një vdekjeje që nuk e shmangëm dot, me jehonën e klithmave të saj për ndihmë, me revoltën ndaj sistemit që kemi ngritur.
Por e di se buzëqeshja e saj e bukur do çajë murin e zi të vdekjes për t’iu bërë dritë dy prindërve të mjerë e dy fëmijëve të dashur. Se iu duhet, që t’ia shohin kuptimin jetës edhe pa sytë e Desit.
Lamtumirë kushërira ime trime!