Është zbardhur dosja e plotë hetimore për vrasjen e ndodhur katër ditë më parë në Zall Bastar të Tiranës. Pas kryerjes së hetimeve dhe marrjes në pyetje të Elida Canit, vëllait të saj, Esat Cani dhe burrit Dëfrim Kurti është zbardhur e gjithë kronologjia e vrasjes së Arben Gjecit me hekur në kokë nga vëllai i 20-vjeçares.
Ndryshe nga më parë, Elida Cani ka pranuar lidhjen me 34-vjeçarin Arben Gjeci.
"Ne kishim një lidhje prej disa muajsh, atë natë e kishim lënë për t'u takuar. Burri nuk ishte në shtëpi, pasi ndodhej në lokal, ndërsa vjehrrin dhe vjehrrën i kishte zënë gjumi. Doja ta anuloja takimin, por Arbeni nuk pranoi dhe më kërkoi që të takoheshim. Kryem marrëdhënie dhe kur po vishej më tregoi se kishte qenë i frikësuar gjithë ditën, pasi kishte pasur idenë që dikush po e ndiqte. Nuk pashë askënd se kush e qëlloi."
Ndërsa bashkëshorti i 34-vejçares është shprehur se bashkarisht kishin krijuar një skenar që të thonin se Arbeni ishte plagosur në rrugë, shkruan Report Tv.
"Më telefonoi gruaja duke qarë më tha hajde shpejt, në shtëpinë tonë gjendet një burrë i gjakosur, dikush ka qëlluar Arben Gjecin. Kur shkova e pyeta nëse dinte gjë mami dhe babai dhe për shkak të fjalëve që mund të hapeshin në fshat vendosëm që të tregonim skenarin që Arbeni ishte plagosur në rrugë dhe e nxorëm trupin jashtë banesës."
Dëshmia e Esat Canit, vllait që vrau për motrën:
“Një ditë kur u ktheva nga Greqia, ishim si pasagjerë në makinën që drejtonte Arbeni. Bashkë me mua ishte edhe ime motër dhe e fejuara ime. Arbeni po sillej çuditshëm dhe unë aty në atë çast dyshova se ai ose ishte lidhur me motrën time ose me të fejuarën time. Ditën e ngjarjes dola nga banesa dhe i thashë babait që po iki për në punë, kur po kaloja te lokali, pashë furgonin e tij, por jo atë. Aty dyshova, vajta i thashë pronarit do të iki se kam babanë sëmurë, por ai më tha se nuk ka leje, por unë ika. Në këtë moment shkova në shtëpi mora një shufër hekuri dhe ika të shtëpia e motrës dhe qëndrova pas kashtores. Nga ai pozicion pashë te dera ku depërtonte drita një lëvizje, pasi u hap dera doli Arben Gjeci. Ai më pa dhe filloi që të qeshte me ironi. Unë e godita me hekur pas koke dy tre herë dhe ika qetësisht në shtëpi. Kur ika në shtëpi e hodha shufrën. Babai më pyeti se çfarë ke, i thashë nuk kam gjë dhe shkova që të fle, nuk kam pasur qëllim që ta vrisja, por ta rrihja që të vuante ca kohë.”