Almir Daci i shpallur në kërkim ndërkombëtar me akuzën e terrorizmit dhe i njohur si luftëtar i Shtetit Islamik është vrarë në Siri.
Nuk dihen shumë detaje sesi ka ndodhur vrasja, por lajmi u përhap menjëherë sapo familja e tij që jeton në Leshnicë të Pogradecit hapi dyert e mortit.
Ndërkohë as autoritetet shqiptare nuk kanë informacione për këtë ngjarje, pasi Daci ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e rekrutimit të personave për akte terroriste.
Almir Daci ishte bashkuar prej më shumë se dy vitesh me Shtetin Islamik, kohë kur edhe u larguar në Siri bashkë me familjen e tij.
Para se të largohej, ai ka shërbyer si imam i fshatit Leshnicë.
Në qershor të vitit të kaluar, Daci u bë protagonist në internet pasi kërcënoi përmes një videomesazhi shqiptarët.
Babai i të dyshuarit si terrorist, ka deklaruar pak kohë më parë se ka folur me djalin e tij para Vitit të Ri, ndërsa nga ana tjetër dënoi veprimet ekstremiste të tij të bëra në Siri.
Për Gjykatën e Krimeve të Rënda, Almir Daci, konsiderohet si një nga drejtuesit më të pushtetshëm të celulave të luftëtarëve xhihadistë në Siri.