INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vritet në Siri Almir Daci, ish-imami i Leshnicës

Vritet në Siri Almir Daci, ish-imami i Leshnicës

Publikuar më: 09:23 04-04-2016

Almir Daci i shpallur në kërkim ndërkombëtar me akuzën e terrorizmit dhe i njohur si luftëtar i Shtetit Islamik është vrarë në Siri.

Nuk dihen shumë detaje sesi ka ndodhur vrasja, por lajmi u përhap menjëherë sapo familja e tij që jeton në Leshnicë të Pogradecit hapi dyert e mortit.

Njëri nga vëllezërit e tij, Genci tregon se është shumë vështirë të përballesh me diçka të tillë. “Po qajmë në një shtëpi bosh, po përballemi me lajmin e vdekjes, por nuk kemi xhenaze ku të qajmë për humbjen që pësuam. Ne humbjen e tij e mësuam në mënyrën më të tmerrshme përmes një telefonate, e cila nuk mund të vihet në dyshim. Kunata, bashkëshortja e Almirit, e cila ishte së bashku me të dhe me fëmijët ka marrë në telefon dhe dha lajmin. ‘Mbaroi ai, nuk jeton më’, kaq i kishte thënë. Nuk e dimë se si ka ndodhur, por na mbetet vetëm të kërkojmë trupin e vëllait, a ka mundësi shteti ta sjellë. Edhe fëmijët. Po pati mundësi shteti ta bëjë këtë gjë faleminderit. Di vetëm të them se akuzat ndaj tij janë të pabaza, vëllai im iku në Arabi, në fillim kur flisnim ai na tha se ishte në Arabi, pastaj nuk e di çfarë mund t’i ketë ndodhur që ai shkoi në Siri. Tani duam vetëm të na lenë të qetë të gjithë sepse asgjë tjetër nuk na ngushëllon”, u shpreh ai.

Para se të largohej, ai ka shërbyer si imam i fshatit Leshnicë.

Në qershor të vitit të kaluar, Daci u bë protagonist në internet pasi kërcënoi përmes një videomesazhi shqiptarët.

Babai i të dyshuarit si terrorist, ka deklaruar pak kohë më parë se ka folur me djalin e tij para Vitit të Ri, ndërsa nga ana tjetër dënoi veprimet ekstremiste të tij të bëra në Siri.

Për Gjykatën e Krimeve të Rënda, Almir Daci, konsiderohet si një nga drejtuesit më të pushtetshëm të celulave të luftëtarëve xhihadistë në Siri.

Article Logic
Execution time: 0.004709005355835