INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vuçiç apel serbëve në Veri, u kërkon të mos e shpallin autonominë

Vuçiç apel serbëve në Veri, u kërkon të mos e shpallin autonominë

Publikuar më: 17:26 03-08-2018

Presidenti i Serbisë Vuçiç, u është drejtuar serbëve të Kosovës nëpërmjet një letre që të mos ndërmarrin asgjë nesër kur skadon afati i hartimit të statutit të Asociacionit, pasi shqiptarët dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare do të ndërmerrnin aksione kundër tyre.
Sipas një skenari të shpalosur nga eksponentë të Kishës Ortodokse në Kosovë, serbët po planifikonin të shpallnin autonominë e tyre të dielën më 5 gusht.
Prifti Sava Janjiç ka folur publikisht për këtë, i cili ka thënë se ka pasur informacione për situatën në veri.
Vuçiç në letrën e tij thotë se përderisa ai të jetë në krye të shtetit të Serbisë, nuk do të lejojë dhunë të organizuar mbi serbët dhe objektet religjioze e as përndjekjen e tyre.
Shefi i shtetit serb, ka thënë po ashtu se “as kësaj here Prishtina nuk do të lëvizë as gishtin për të formuar Asociacionin e komunave serbe”.
Ai ka lutur qytetarët serbë që të mos ndërmarrin asgjë, pasi sipas tij, këtë do të mund ta shfrytëzonin shqiptarët ose një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare si pretekst për të ndërmarrë çfarëdo aksioni ndaj tyre.
Presidenti serb ka thënë se ruajtja e paqes në Kosovë është detyrë parësore e NATO-s prej të cilës pret dhe kërkon që “ta ruajnë paqen në atë mënyrë që të pengojnë çfarëdo tentimi eventual të kujtdo dhe me çfarëdo preteksti që ta marrin dhe ta grabisin hidro-elektranën ‘Gazivoda’ (Ujman) dhe trafo-stacionin ‘Vallaç’ ose cilindo objekt kyç infrastrukturor, prej të cilit varet mbijetesa e serbëve”.

Article Logic
Execution time: 0.0034451484680176