Dua Lipa nuk po ndalon së arrituri suksese edhe në kohë pandemie kur muzika nuk ka më frymën e argëtimit si më parë. Megjithëse pa koncerte, këngëtarja me origjinë shqiptare ka publikuar muzikë të re, klipe dhe albumin e dytë në pak kohë. Tani Dua është në kopertinë e prestigjozes ‘Time’ që ka e ka renditur në krye të listës së 100 artistëve që po i japin formën së ardhmes. Në listë janë të gjithë ata artistë të çdo kategorie që kanë ndikim të madh tek e ardhmja.
Në fjalën e shkurtër të publikuar online, Dua është përshkruar si një yll në ngritje që për një kohë të shkurtër ka arritur më shumë se një pjesë e mirë e artistëve në qarkullim. “Ajo dallon për zërin e veçantë. Ka një etik të famshme pune që është strikte mes gjithë personave që punojnë me të. Babai i ka mësuar që duhet të punosh shumë për të pasur pak fat dhe 25-vjeçarja ecën me këtë ideal. E zgjuar, e sjellshme dhe e paparë”, është shkruar në ‘Time’.
Emra të tjerë në listë janë: Anitta, Florence Pugh, Ana De Armas, Lil Baby, Luke Combs, Misha Green. Revista ka dalë në shitje edhe e printuar.