E meriton plotësisht, suksese Abazaj!
Ndërkohë që të gjithë prisnin transferimin e tij te Skënderbeu në fund të sezonit, Kristal Abazaj është bërë lojtari më i ri i klubit gjigant belg, Anderlecht.
Kristal Abazaj është lojtari më i ri i klubit gjigant belg, Anderlecht. Sulmuesi i Luftëtarit ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare, me opsion zgjatjeje edhe për dy vite të tjera. Lajmi është konfirmuar si nga klubi belg, ashtu edhe nga vetë sulmuesi.
“Jam shumë i lumtur që do të bëhem pjesë e Anderlechtit, një klub shumë i madh, ku do të kem mundësi të zhvillohem. Mezi pres të filloj eksperiencën time me ta”, deklaroi Abazaj për Supersport.
Vetë Abazaj ishte sot në ambientet e klubit belg, ku firmosi kontratën me drejtuesit e skuadrës, ndërsa fotot zyrtare u shpërndanë edhe në faqen e Facebook-ut të Anderlechtit. Klubi belg i Anderlechtit është një klub elitar atje, ndërsa është mjaft i njohur edhe në Shqipëri, pasi me të ka luajtur edhe Besnik Hasi, që më vonë pati një karrierë edhe si trajner i parë aty.
Nga kjo skuadër kanë dalë shumë lojtarë me emër, që aktualisht bëjnë karrierë në klubet më të mëdha europiane. Vlen të përmendet se nga akademia e Anderlechtit kanë dalë lojtarë si Kompany, Tielemans, vëllezërit Lukaku, etj.