Cermonia e ndarjes së çmimeve të UEFA-s në Montecarlo me rastin e hedhjes së shortit të edicionit 2018-2019 të UEFA Champions League nisi me nderimin e legjendës angleze David Beckham i cili fitoi çmimin e karrierës. Portieri më i mirë u zgjodh Keylor Navas i Realit të Madridit, i cili fitoi betejën me Buffon dhe Allison.
Mbrojtësi më i mirë me meritë u zgjodh kapiteni i Realit, Sergio Ramos, çmimi i mesfushorit më të mirë shkoi për Luka Modric ndërsa ai i sulmuesit më të mirë për Cristiano Ronaldon. Leo Messi dhe Mohamed Salah ishin rivalët e portugezit të Realit i cili gjithsesi me Championsin e tretë radhazi të fituar nga Los Blancos dhe me 15 golat e realizuar në këtë edicion të Champions League nuk mund të kishte rivalë në këtë garë.
Mirëpo Modriç zbriti nga froni Ronaldon duke fituar çmimin si “Lojtari i Vitit”. Mesfushori i Los Blancos fitoi garën treshe me Salah dhe Ronaldon duke i hequr mundësinë yllit portugez për të fituar këtë çmim prestigjoz për herë të 4-t në karrierë.