Fitorja e Zvicrës kundër Serbisë, me golat e Xhakës dhe Shaqirit ka gëzuar gjithë shqiptarët. Katër shqiptarët dhe kombëtarja e Zvicrës pas një paraqitje historike kanë mposhtur Serbinë në Kaliningard me rezultat 2-1 në ndeshjen e dytë të Grupit E.
Të entuziazmuar, miliona shqiptarë kanë ndjekur nga ekrani këtë ndeshje të Kampionatit Botëror.
Shumë të emocionuar duket të kenë qenë edhe figurat publike, të cilët përmes rrjeteve sociale kanë ndarë me ndjekësit momente gëzimi nga fitorja e Zvicrës. Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka ishin kryefjala e kësaj loje, të cilët shënuan dy gola fantastikë dhe paraqitjen e tyre e ka përshëndetur edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Ajo ka publikuar një foto në instastory ku shfaqen Xhaka dhe Shaqiri duke bërë shqiponjën me duar dhe këngëtarja ka vendosur disa flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe disa emoji me duar si shqiponjë.