Thomas Muller ka pasur deri tani një karrierë të jashtëzakonshme te Bayern Munchen dhe kombëtarja gjermane por mbetet ziliqar për shpejtësinë e superyllit të Francës Kylian Mbappe për një gjë të vetma: motorin që ai ka në të pasme…
Pas përballjes me adoleshentin francez të mërkurën në ndeshjen e parë Ligës së Kombeve, ku pavarësisht rezultatit Mbappe shkëlqeu, Muller kishte vetëm fjalë të mira. Fintet dhe pasimet e zgjuara të sulmuesit të Paris SG sigurisht që entuziazmonin tifozët, por për lojtarin e Bayern, gjithçka bëhej më e vështirë kur ai vendoste këmën te gazi.
“Ai ka një motor në të pasme, të gjithë do të donin ta kishin”, tha sulmuesi gjerman. “Ai hedh një hap dhe e le kundërshtarin mbrapa. Lojtarë si ai duhen mbuluar me më shumë se një lojtar, edhe nëse lë të parin pas, tjetri duhet të provojë ta ndalojë. Është e vetmja mënyrë se si mund ta frenosh një lojtar të mrekullueshëm si ai. Sigurisht që gjatë ndeshjes kishte çaste që edhe spektatorët i shijuan”.
Edhe pse presionin më të madh për këtë ndeshje mund të mendohej që e kishin kampionët e rinj të botës, në fakt të gjithë i kishin sytë nga Gjermania që vinte pas eliminimit më të turpshëm të historisë së saj nga një Botëror si dhe pas largimit të Mesut Ozil nga kombëtarja. “Sigurisht që kishte shumë trysni ndaj nesh para ndeshjes”, tha Muller në lidhje me këtë çështje. “Por dhamë përgjigjen e duhur, ashtu siç duhet ta jepnim. Sigurisht që nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, por kemi shumë për të shlyer. Ky ishte gjithsesi një hap kyç përpara”.