“Game of Thrones” surprizoi fansat, ndërsa në episodin 5 të sezonit final 8 shfaqi një Daenerys në version të tërbuar, por si gjithnjë avangardë, “The Simspons” e kishin parashikuar më parë.
Seriali i animuar i krijuar nga Matt Groening është bërë tashmë i famshëm për aftësinë e tij për t’u paraprirë eventeve dhe ngjarjeve, siç ndodhi në rastin e zgjedhjes së Trump si president amerikan, apo blerjen e “Fox” nga “Disney”. Kështu ndodhi dhe në rastin e serialit të bazuar në romanet e George R.R. Martin.
Në episodin “The Serfsons”, të transmetuar në vitin 2017, flitet për ngjarje të shfaqura në “GOT”. Në fund, familja protagoniste shikon nga lart se si qyteti i Springfield shkatërrohet nga sulmi i një dragoi. E njëjta gjë ndodhi dhe në episodin e parafundit të “Game of Thrones”, ku Daenerys vendosi të përdorë Drogon për të sulmuar King’s Landing, duke djegur qytetin dhe banorët e pafajshëm që ndodheshin brenda mureve.
Nuk munguan reagimet online të fansave, aq sa disa prej tyre madje pretendojnë se autorët janë frymëzuar pikërisht nga seriali i animuar.