INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Xhaçka në Turqi. Partneritet strategjik për ushtrinë dhe mbrojtjen!

Xhaçka në Turqi. Partneritet strategjik për ushtrinë dhe mbrojtjen!

Publikuar më: 12:20 26-01-2018

Ushtria, mbrojtja dhe arsimi ishin temat kryesore të bashkëbisedimeve që zhvilloi në Turqi Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka me homologun e saj turk. Zonja Xhaçka ndodhet në Turqi për një vizitë dyditore.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes”
“Ministrja e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë dyditore në Ankara, me ftesë të homologut të saj, ministrit të Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, z. Nurettin Canikli.
Ministri Canikli e priti zonjën Xhaçka me truprojë nderi dhe ceremoni ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë.
Në takimin e ministres Xhaçka me homologun e saj turk, veç marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve, u diskutua edhe për bashkëpunim dypalësh në industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes.
Ministrja Xhaçka e falënderoi homologun e saj turk për ndihmën dhe mbështetjen e Turqisë për Forcat e Armatosura shqiptare, kryesisht sa i përket modernizimit, arsimimit ushtarak, kujdesit shëndetësor, por edhe stërvitjeve.
Pas takimit me ministrin Canikli, zonja Xhaçka vlerësoi klimën e mirë të bisedimeve me homologun e saj turk, i cili ofroi gatishmërinë e të plotë të vendit të tij për mbështetjen e mëtejshme të Forcave tona të Armatosura. “Diskutuam lidhur me bashkëpunimin aktual ushtarak për trajnim, arsimimin e përbashkët. U dakordësuam për mundësitë e shumta, të cilat do eksplorojmë dhe mora mbështetjen maksimale nga kolegu im Canikli për plotësimin e çdo kërkese nga Shqipëria. Edhe për modernizimin e FA gjeta mbështetjen maksimale për çdo projekt, i cili do të gjykohet i nevojshëm për t’u zhvilluar . Me homologun turk pata veçse dakordësi për të zhvilluar kapacitet ushtarake. Trajtimi mjekësor i personelit ushtarak në Turqi do të vazhdojë dhe do të shtohet për të plotësuar të gjitha nevojat shëndetësore mjekësore, të cilat nuk i përmbushim dot në Tiranë.”- u shpreh ministrja Xhaçka, e cila takoi edhe studentët shqiptarë që studiojnë në akademitë ushtarake turke. Zonja Xhaçka u uroi suksese studentëve shqiptarë dhe u shprehu atyre rolin dhe rëndësinë e tyre brenda Forcave të Armatosura, sapo ata të përfundojnë studimet. ”U konfirmova studentëve tanë që shkollohen në akademitë ushtarake turke që, do të vazhdojnë të jenë ndër shembujt e mirë të disiplinës dhe profesionalizmit dhe presim prej tyre që të vijnë dhe të bëhen pjesë solide e piramidës sonë ushtarake.”- tha Xhaçka.
Në vijim të vizitës së saj, ministrja Xhaçka vizitoi disa fabrika të industrisë ushtarake dhe u njoh nga afër me mjetet, pajisjet dhe armatimet që prodhohen aty.
Gjithashtu ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë u prit në takime të veçanta nga ministri i Brendshëm i Turqisë z. Süleyman Soylu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura turke, gjeneral me katër yje Hulusi Akar.
Në takimet me zyrtarët e lartë turq, ministrja Xhaçka diskutoi për çështjet e interesit të përbashkët në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Pjesë e vizitës zyrtare të ministres Xhaçka, ishin edhe homazhet dhe vendosja e një kurore me lule në Anıtkabir, Mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk.

Article Logic
Execution time: 0.0037708282470703