INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Xhafaj në Maqedoni, nënshkruhet protokolli i rëndësishëm

Xhafaj në Maqedoni, nënshkruhet protokolli i rëndësishëm

Publikuar më: 18:02 03-02-2018

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë në Maqedoni, ku u prit në Ohër nga homologu maqedonas Oliver Spasovski.

Në axhendën e bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë, luftës kundër trafikut të drogës, terrorizmit, si dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

Në njoftimin e Miinistrisë shpërndarë për mediat citohet se gjatë kësaj vizite u nënshkrua “Protokolli i bashkëpunimit për luftën kundër terrorizmit”, i cili u finalizua pas një pune të ekspertëve nga dy vendet. Një çështje tjetër, me rëndësi në bisedimet e zhvilluara ishte ngritja e një Qendre Rajonale e Bashkëpunimit Policor, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky projekt i propozuar nga Xhafaj ka marrë mbështetje nga vende të ndryshme të BE-së, nga Komisioneri Avramopulos, dhe u përkrah plotësisht edhe nga Ministri Spasovksi.

 Gjatë bisedimeve të sotme u ra dakord gjithashtu edhe për nisjen e punës për ngritjen e pikave të përbashkëta kufitare në Qafë Thanë, Tushemisht dhe Trebisht. Pas takimit, në konferencë për mediat, ministri Xhafaj u shpreh: “Mund t’iu them se nuk kishim asnjë çështje ku ndaheshim, ishin të gjitha çështje që kishim dakordësi shumë të mirë midis nesh. Kishim dakordësi për të gjitha këto çështje, për bashkëpunimin që kemi dhe për bashkëpunimin që duhet të ndërtojmë. Dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe, për shkak se kjo është produkt i atij raporti të shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve, dy qeverive dhe dy popujve tanë. Ne jemi fqinjë të mirë me njëri tjetrin. Detyra jonë është t’i shërbejmë kësaj miqësie, kësaj fqinjësie të mirë. Dhe ne diskutuam me Ministrin dhe ekipin e tij disa tema të rëndësishme për t’i avancuar ato më tej,” tha Xhafaj.

Duke nënvizuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi, Xhafaj theksoi: “Unë besoj se çështjet që diskutuam për luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër krimit të organizuar, kontribuojnë për qetësinë dhe sigurinë në dy vendet tona, por kontribuojnë për qetësinë dhe sigurinë edhe në rajon. Po ashtu iniciativat ku ne bashkëpunojmë deri më sot apo iniciativat e reja që dëshirojmë të zhvillojmë më tej i shërbejnë miqësisë ndërmjet dy vendeve por edhe të ardhmes së rajonit. Unë besoj se disa nga temat dhe disa nga propozimet që u dakordësuan për t’u zhvilluar më tej, do t’i shërbejmë akoma më shumë lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve. Do t’i shërbejë më shumë, komunitetit të biznesit në të dy vendet tona, por do të ofrojë edhe më shumë siguri dhe qetësi në rajonin tonë. Besoj se kjo marrëdhënie që kemi vendosur midis dy ministrave dhe midis dy ministrive, mund të jetë një model shumë i mirë edhe për marrëdhëniet e tjera në këtë rajon,” tha Xhafaj në deklaratën e tij për mediat. Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Oliver Spasovski, duke folur rreth takimit të zhvilluar, u shpreh: “Gjatë takimit të sotëm ne biseduam për bashkëpunimin që ne kemi pasur në të kaluarën, por gjithashtu u angazhuam për bashkëpunim të mëtejshëm edhe në të ardhmen. Gjithashtu me rëndësi të madhe është edhe firmosja e memorandumit mes dy vende, në drejtim për forcimit të bashkëpunimit policor dhe luftës kundër terrorizmit ndërmjet të dyja vendeve. Biseduam edhe për nismën e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë për hapjen e qendrave të përbashkëta kufitare të Ballkanit Perëndimor, nismë të cilën ne si ministri e pranuam me kënaqësi.” Ministri Xhafaj e ftoi homologun maqedonas për vizitë në Shqipëri.

Article Logic
Execution time: 0.0039269924163818