Juventusi është kualifikuar në finalen e Ligës së Kampioneve dhe në rast se e fiton atë, atëherë 131 milionë euro shkojnë në arkat e klubit italian, ndërkohë që për momentin janë siguruar 126 milionë.
Kjo bën që klubi të ketë mundësinë që në verë të ndërhyjë në merkato, ndërkohë që në mediat italiane shkruhet se bardhezinjtë do tentojnë gjashtë lojtarë, disa prej të cilëve duken të paarritshëm, gjithsesi gjithçka mbetet në kuadrin e fjalëve.
I pari në listë është Xhixhi Donaruma, portieri 18-vjeçar i Milanit, që ende nuk ka rinovuar me kuqezinjtë, ndërkohë që menaxheri i tij Mino Raiola shpesh po bën edhe presione me këtë çështje dhe një nga opsionet është Juventusi. Bardhezinjtë me afrimin e tij do zgjidhnin çështjen e portës për vite të tëra.
Po te Milani ata duan të marrin Matia De Shiljon, një objektiv real, që tashmë ka edhe probleme me tifozët në klubin aktual. Për mesfushën Ivan Rakitiç duket një ëndërr, pasi mesfushori edhe ka rinovuar me Barçën, ndërsa Balde Keita i Lacios dëshiron Milanin dhe hapësira për të luajtur.
Dy të tjerët janë Hames Rodriguez dhe Aleksis Sançez, dy lojtarë për të cilët Juventusi duhet ta paguajë minimalisht 60 milionë euro për kartonin e secilit, ndërkohë që fatura financiare do shkonte shumë e lartë, duke marrë parasysh edhe pagat e mëdha që këta lojtarë pretendojnë.