Lufta mes programeve dhe rrjeteve sociale po bëhet gjithnjë e më e fortë, sepse ato çdo ditë njoftojnë për përditësime dhe risi të reja në aplikacionet e tyre. E rradhës është nga Youtube, i cili është rrjeti social lider për videot, por në lidhje me bisedat mes përdoruesve, lë pak për të dëshiruar.
Sipas asaj që raportohet nëpër forume të ndryshme teknologjike, Youtube është duke punuar për të krijuar mundësinë për të gjithë përdoruesit e vet që të komunikojnë përmes bisedave private tek për tek ose në grup. Ndryshimet fillestare do të bëhen në aplikacionin e përdorur nëpër telefonat inteligjentë me sistem Android dhe iOS dhe në bazë të suksesit që do të ketë këtu, do të aplikohet edhe për t’u hapur përmes shfletuesit në kompjuter.
Kjo është përpjekja e radhës e Google për të rivalizuar me konkurrentët e drejtpërdrejtë në fushën e rrjeteve sociale, sidomos me Facebook. Disa vite më parë, kompania prezantoi Google Plus, e konceptuar si një platformë sociale, por që nuk arriti të bëjë për vete përdoruesit.