INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zagoria 'Park Natyror Kombëtar'

Zagoria 'Park Natyror Kombëtar'

Publikuar më: 15:47 21-06-2018

Dy vjet pas dhënies së statusit “Park Natyror Rajonal”, ekosistemi natyror malor i zonës së Zagorisë në Gjirokastër është shpallur “Park Natyror Kombëtar”. Sipërfaqja prej 24.590 hektarësh do të ndahet në dy nënzona ruajtjeje e administrimi. Zona qendrore zë 38% të parkut duke përfshirë habitatet kryesore pyjore e shkurre dhe përcaktohet si zonë me vlera të larta për trashëgiminë natyrore e biodiversitetin shqiptar. Me marrjen e këtij statusi, pritet të zbatohet shkallë më e lartë e mbrojtjes, ku jo pak herë këto zona kanë rënë pre e shfrytëzimit pa kriter të pyjeve, por edhe të ushtrimit të gjuetisë së paligjshme. Në këtë nënzonë do të lejohet vetëm kërkimi shkencor, zhvillimi i veprimtarive ekoturistike të lira në natyrë, si dhe kullotja sezonale. Ndërsa pjesa tjetër e parkut është klasifikuar si nënzona e përdorimit tradicional dhe përfshin toka bujqësore, kullota dhe territore ujore. Kjo zonë është e pasur gjithashtu edhe me bimë medicinale dhe aromatike. Në të nuk do të lejohen ndërtimet apo veprimtaritë që shkaktojnë ndryshimin e gjendjes natyrore të ekosistemit. Administrimi i “Parkut natyror të Zagorisë” do të kryhet nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura e qarkut të Gjirokastrës. Ndërkohë, brenda Majit të vitit të ardhshëm, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të hartojë planin e menaxhimit të parkut.

 

zagori_ura.jpg-zagoria1.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0035622119903564