Më shumë se një grupi djemsh, One Direction po fillon t’i përngjajë një kazerme, të paktën sipas fjalëve të Zayn Malik.
Artisti 22 vjeçar, i cili shumë shpejt pritet të nxjerrë albumin e tij debutues, “Mind of Mine”, ka rifilluar me ankesat kundrejt bandës së djemve. Zayn shprehet se asnjë prej tyre nuk lejohej që të dilte jashtë imazhit të krijuar nga One Direction, atë të “djemve adoleshentë të gëzueshëm”. Duket se diçka të tillë ai e ka vuajtur veçanërisht kur nuk e lejuan që të lyente flokët apo të rriste një mjekër. Zayn shprehet se kjo është një nga arsyet kryesore për të cilat ai u largua, sepse nuk po i lejohej që të shfaqte autenticitetin e tij.
Këngëtari britanik vazhdon duke thënë se kjo nuk vlen vetëm për paraqitjen e tij, por edhe për muzikën që këkon të krijojë. Për sa i përket muzikës nuk mund ta kundërshtojmë, por në rastin kur artisti i hitit “Pillowtalk” vendos të lyejë flokët me rozë, është e nevojshme prania e dikujt që t’i thotë “Jo”, me pikë pas.