INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zbardhen tarifat, ja sa do të paguajnë studentët për shkollim në Universitetin e Tiranës

Zbardhen tarifat, ja sa do të paguajnë studentët për shkollim në Universitetin e Tiranës

Publikuar më: 10:50 09-07-2017

Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka miratuar pak ditë më parë tarifat e reja për më shumë se 5631 studentë që hyjnë për herë të parë në auditor. Për të tretin vit radhazi, senati akademik i këtij universiteti ruan të pandryshuar shumën që ata duhet të paguajnë për shkollimin. Gazeta “Panorama” zbardh tabelën me tarifat për secilën degë të gjashtë fakulteteve të UT-së, si për ata që e kanë program të parë apo program të dytë studimi. Çmimi për secilën degë parashikohet të jetë i njëjtë deri në përfundim të studimeve, me përjashtim të fakultetit të Drejtësisë.

Duke qenë se këtë vit nis si një program i integruar, nuk do të ketë një tarifë të unifikuar, por të ndryshueshme në pesë vitet e studimit. Më konkretisht, ata që do të pranohen te Juridiku do të paguajnë për tri vitet e para tarifën e bachelor-it dhe në dy vitet e tjera shumën e masterit.

TARIFAT

Në bazë të tabelës me çmimin që duhet të paguajnë studentët e rinj për t’u shkolluar në një nga profilet në UT, vlerën më të ulët e kanë gjuhët e huaja dhe degët e shkencave të natyrës, me një vlerë prej 25 mijë lekësh. Ndërsa tarifën më të lartë e kanë fakulteti i Shkencave Sociale dhe ai i Drejtësisë, 40 mijë lekë për secilin profil. Fakulteti i Ekonomisë për të gjitha programet e studimit përfshi edhe filialin e Sarandës, tarifën e shkollimit për vitin e ri akademik 2016- 2017 do ta ketë 35.000 lekë, ndërsa për pesë degët te Histori-Filologjia do të paguhet një çmim prej 30 mijë lekësh.

Ata që dëshirojnë të ndjekin një program të dytë studimi i nënshtrohen një pagese disa fish më të lartë se ajo e studentëve që ulen për herë të parë në auditorë. Paradoksalisht Juridiku, ende i shumëkërkuar, si program i dytë studimi ka tarifën më të ulët, krahasuar me degët e tjera. Vetëm 63 mijë e 341 lekë ose 23 mijë më shumë se ata që studiojnë këtë degë për herë të parë. Po ashtu, profilet e Ekonomikut ofrohen me dyfishin e tarifës fillestare, 80 mijë lekë. Ndërsa, për një diplomë të dytë në një nga profilet që ofron fakulteti i Shkencave të Natyrës duhet të paguash 203,690 lekë.

Të gjitha tarifat janë miratuar me kohë nga senati dhe pritet të vulosen nga Ministria e Arsimit. Sipas ligjit të arsimit të lartë, senatet akademike votojnë tarifat e reja pasi Këshilli i Ministrave të dalë me një vendim, ku të përcaktojë çmimet tavan dhe dysheme për çdo profil.

Duke qenë se s’ka ende një VKM, kjo procedurë duket se është bërë fakt i kryer për shkak se nuk ka pasur lëvizje të tarifave edhe këtë vit. Në të njëjtën linjë do të veprojnë edhe institucionet e tjera të arsimit të lartë. Të paktën kështu kanë deklaruar rektorët e universiteteve.

Article Logic
Execution time: 0.0051100254058838